Festë e zymtë

Prishtinë | 29 Nën 2016 | 09:04 | Nga

Sheshi i Prishtinës është dukur sikurse një treg me rastin e Festës së Flamurit. Ndërkohë që malli më i shitur të hënën ka qenë flamuri. Nuk kanë munguar as plisat e simbolet e tjera, të cilat shpesh janë dhënë me “qira” sa për një foto. Në shesh ka zbarkuar që në mëngjes edhe presidenti për të nderuar heroin Zahir Pajaziti dhe të rënët tjerë.

I riu nga Prizreni vendos dy flamuj në pasqyrat e veturës së tij. Ai ka ardhur në Prishtinë të festojë 28 Nëntorin. Vetëm 30 minuta më shumë rrugë i riu thotë se do t’i bënte për të shkuar në Tiranë. Por festimi i 28 Nëntorit, sipas tij, ka kuptim në secilin qytet ku jetojnë shqiptarët. “Kudo që jetojnë shqiptarët festa e 28 Nëntorit e ka kuptimin e saj dhe të sjellë kënaqësinë e festës”, ka thënë ai për “Zërin”.

Të shumtë janë qytetarët që nga shumë qytete të Kosovës kanë ardhur në Prishtinë për të festuar 104-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Por, shumica janë zhgënjyer sepse në kryeqytetin e Kosovës sheshet më shumë i ngjanin një tregu sesa një feste që ngërthen në vete katër data të rëndësishme të historisë kombëtare.

Sheshi sikur një treg

“Komuna nuk ka bërë mirë që ka lënë këto kioska sot. Sheshi duket si një treg”, ka thënë Arbër Maliqi që ka ardhur nga komuna e Drenasit në Prishtinë.

Ai thotë se gjithnjë 28 Nëntori ka “skuqur” sheshin. “Dhe këto kioska këtu në shesh nuk e kanë kuptimin e tyre. Është treg apo festë”, thotë Maliqi tek mësyjnë drejt sheshit “Zahir Pajaziti”, në të cilin ishte vendosur një skenë e ku janë zhvilluar aktivitete.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme