GAP: Vetëm 5% e grave mbajnë pozita të larta drejtuese

Prishtinë | 04 Maj 2017 | 13:26 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në sektorin publik gratë mbesin më pak të përfaqësuara në pozita të larta drejtuese, kjo për shkak se konkurset për këto  pozita përmbajnë gjuhë të kodifikuar mashkullore, e cila i dekurajon gratë për të aplikuar. Kjo argumentohet edhe me faktin se 94. 6 % e pozitave të nivelit të lartë drejtues në Qeveri, Kuvend dhe Presidencë dominohen nga burrat.

Kështu u tha në tryezën e Institutit GAP ku u prezantuar analiza “Diskriminimi në Tregun e Punës – Ndikimi i Konkurseve në Pabarazinë Gjinore”.

Nora Latifi – Jashari, drejtoreshë ekzekutive në Institutin GAP, theksoi se shumica e grave nuk marrin pjesë në tregun e punës apo vetëm një në pesë gra në moshë të punës është aktive në tregun e punës.

Nga të dhëna zyrtare shohim se gratë janë më të shumta në numër që përfundojnë studimet universitare dhe se gratë janë pothuajse njëjtë punëkërkuese sa burrat, por se prapë burrat punësohen më shumë në numër se gratë.

“Arsyet kryesore pse ato nuk marrin pjesë në fuqinë punëtorë janë obligimet familjare. Gjithashtu, barrierat tjera kanë të bëjnë me ndarjen tradicionale të profesioneve ku në mënyrë specifike kërkohen burra për ‘profesionet e burrave’ dhe gra për ‘profesionet e grave’ si dhe barriera tjetër është tek gjuha diskriminuese e shpalljeve për vende të punës”, tha ajo.

Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në Institutin GAP, prezantoi të gjeturat e analizës ku tregoi se si gjuha e përdorur në konkurse si në sektorin publik dhe në privat ndikon në pabarazinë gjinore.

“Përkundër se Ligji për barazi gjinore i obligon punëdhënësit që me rastin e shpalljes së vendit të lirë të punës të shmangin elementet diskriminuese në bazë të gjinisë, në sektorin privat Ligji pothuajse nuk aplikohet, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkohen gra ose burra për pozita të caktuara. Nga 562 konkurse që Instituti GAP i ka analizuar, vërehet se në konkurset e bizneseve private për pozitat si asistente, shitëse, recepsioniste, pastruese kërkohen kryesisht gra, kurse në pozitat si menaxher, drejtor, inxhinier kërkohen kryesisht burra”, tha ai.

Tefik Mahmuti, drejtor i departamentit të administrimit shërbimit civil, shtoi se deri më tani nuk kanë pasur asnjë ankesë se gjuha e konkurseve ka paraqitur pengesë për aplikantë në konkurset e shërbimit civil të Kosovës.

“Megjithatë, tani jemi në fazën e plotësim-ndryshimit të legjislacionit mbi shërbimin civil ku do të shohimin mundësinë për inkuadrimin e rekomandimeve të kësaj analize”, shtoi Mahmuti.

Linda Gusia, eksperte e çështjeve gjinore, theksoi se kjo analizë është shumë e rëndësishëm edhe unike pasi që çështja e përdorimit të gjuhës diskriminuese në konkurse nuk është trajtuar asnjëherë. Ky raport në mënyrë të qartë ka dokumentuar dhe ka prekur anën e padukshme se si përdorimi i gjuhës luan një rol të rëndësishëm në punësim.

 

Të ngjashme