Gjermania ndihmon Kosovën për menaxhimin e mbeturinave

Prishtinë | 15 Dhj 2017 | 15:42 | Nga

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka nënshkruar sot Memorandum Mirëkuptimi me Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë për sektorin e menaxhimit të mbeturinave, bëhet e ditur përmes një komunikate për media, transmeton Koha.net.

“Sot, Ministrja e MMPH-së, Albena Reshitaj dhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt nënshkruan një Memorandum të Mirëkuptimit në mes të Gjermanisë dhe Kosovës për sektorin e menaxhimit të mbeturinave. Ata të dy vlerësuan bashkëpunimin e mirë në mes të Qeverisë së Gjermanisë dhe Qeverisë së Kosovës deri më tani dhe shprehën dëshirën që ai bashkëpunim të vazhdojë duke u mbështetur në suksesin e aktiviteteve të përbashkëta”, thuhet në komunikatë.

Një projekt kyç i bashkëpunimit gjermano-kosovar në këtë sektor ka qenë projekti i reformimit të menaxhimit të mbeturinave “Gara për Mjedis të Pastër (GMP)”. GMP është implementuar gjatë vitit 2016 me një synim të përgjithshëm për të fuqizuar performancën në menaxhimin e mbeturinave në 17 komuna pjesëmarrëse dhe 5 ndërmarrje publike.

Vlera e kësaj mbështetje për komunat, si rezultat i performancës së tyre për të përmirësuar kritere të caktuara mjedisore, është rreth 3.4 milionë euro në formë të pajisjeve (kamionë, kontejnerë, etj.), mjete këto që ndahen nga Banka Gjermane për Zhvillim-KfË.

Rezultatet kryesore të projektit janë:

• Rritja e shkallës së mbulimit të shërbimit për 12.1%

• Rritja e shkallës së inkasimit për 12.3%

• Reduktimi i deponive ilegale për 47.3%

Parashihet që suksesi i GMP-së në të ardhmen të përsëritet dhe të transformohet në Skemën e Granteve të bazuar në Performancë (SGBP), e cila gjithashtu përkrahet nga MMPH. Rregullat dhe krijimi i SGBP-së duhet të zhvillohen në një proces gjithëpërfshirës dhe të bashkërenduar me të gjithë akterët relevantë.

Për më tepër, Gjermania do të mbështesë Qeverinë e Kosovës në shërbimet cilësore për të gjithë qytetarët, duke përfshirë edhe shërbimet e rregullta për grumbullimin e mbeturinave dhe eliminimin e deponive ilegale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme