Gjykata vërteton dënimin për Albin Kurtin

Prishtinë | 18 Sht 2018 | 13:40 | Nga

Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin me burgim me kusht për liderin e Vetëvendosjes Albin Kurtin, Albulena Haxhiun, Donika Kadaj-Bujupin dhe Faton Topallin.

Vendimi i Apelit është marrë pas ankesave ndërsa lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i gjykatës Arbër Jashari. Vendimi i Gjykatës së Apelit është që vendimi i shkallës së parë të vërtetohet’ ka thënë Jashari.

Gjykata Themelore i ka shpallur fajtorë katër deputetët: Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu.

Për përdorim të armës, deputeti Albin Kurti është dënuar me 1 vjet e 3 muaj burg, për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burg. Dënimi unik: 1 vjet e 6 muaj burg.

Dënimi është me kusht me periudhë verifikimi 2-vjeçare.

Deputetja Albulena Haxhiu për përdorim të armës është dënuar me 1 vit e 2 muaj burgim. Për pengim të personit zyrtar me 4 muaj. Dënimi unik: 1 vit e 3 muaj.

Donika Kadaj-Bujupi për përdorim të armës është dënuar me 1 vit e 3 muaj, për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burgim. Dënim unik: 1 vit e 6 muaj.

Ndërsa, deputeti Faton Topalli për përdorim të armës është dënuar me 1 vit burgim dhe për pengim të personit zyrtar me 3 muaj burg. Dënimi unik: 1 vit e dy muaj.

Të gjitha këto dënime janë me kusht me periudhë verifikimi 2-vjeçare.

Të katër deputetët e Kuvendit të Kosovës akuzohen për hedhje të gazit në seancën e Kuvendit të Kosovës me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

Gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor, deputetët deklaruan se veprimet e tyre ishin vetëm në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, duke parandaluar kështu një të keqe të madhe që po i kanosej Kosovës, apo siç e quajtën ata “faljen e mijëra hektarëve tokë dhe bosnjëzimin e Kosovës”.

Madje, prej disa prej të akuzuarve u tha se ndihen krenarë për veprimet që i ndërmorën ndërsa se veprimet e tyre ishin të drejta, të gjithë deputetët e akuzuar të këtij rasti përmenden vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që gjeti se disa prej pikave të Marrëveshjes për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, nuk ishin në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Të ngjashme