Hapet ekspozita “Unë jam shqiptar” me fotografi për diasporën ndër shekuj

Prishtinë | 10 Gus 2018 | 17:55 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Muzeu i Kosovës, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe të Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë, ka hapur ekspozitën fotografike “Unë jam shqiptar”.

Në këtë ekspozitë përfshihen materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj.

Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, duke vazhduar më tej me figura të lavdishme të shqiptarëve kur filluan valët e para të emigrimit shqiptar, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se ndihet i nderuar që ndodhet në muze për ta bërë hapjen e kësaj ekspozite, sipas tij, të rëndësishme për shqiptarët.

“Kjo ngjarje që po zhvillohet sot, përveç zbatimit të politikave në mes të dy shteteve tona, ka veçanti sepse kjo ngjarje zhvillohet në vitin jubilar të vdekjes së heroit shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, tha Gashi.

Gashi tha se MKRS-ja do të jetë në mbështetje të institucioneve kulturore dhe ekspozitave të tilla edhe më tutje, raporton EO.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha se kjo ekspozitë do të duhej të hapej kudo ku ka shqiptarë.

“Kjo ekspozitë do të duhej të hapej çdokund në botë ku ka shqiptarë, sepse tregon që ne jemi të shpërndarë nëpër botë, por nuk harrojmë gjënë më të rëndësishme, që jemi shqiptarë dhe ne jemi të angazhuar për të mbrojtur gjenezën tonë dhe traditat tona për të dhënë shpresë që në vitet në vijim do të vazhdojmë edhe më tutje”, tha Minxhozi.

”Marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Shqipërisë në ballë kanë marrëdhëniet kulturore në mes dy anëve të kufirit dhe kanë intensitet në rritje nga viti në vit”, shtoi Minxhozi.

“Diaspora është emër i madh dhe është detyrë e dy qeverive për t’ia dhënë tonin për organizim dhe mobilizim të diasporës shqiptare, sepse kemi dy shtete të pavarura dhe në mes kemi një fjalë, shqiptar, domethënë kombin”, tha Minxhozi.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të muzeut, Bislim Bislimi tha se diaspora meriton ngjarje të tilla në mënyrë që t’u tregohet respekti dhe mirënjohja ndaj tyre.

“Si detyrë e institucioneve është që me iu tregu në të gjitha mënyrat respektin dhe mirënjohjen për diasporën, muzeu ka qenë në lartësinë e detyrës kur ka vendosur të realizojë këtë ekspozitë”, tha Bislimi.

Drejtori i Muzeut të Shqipërisë, Dorian Koçi, tha se e vlerëson shumë që diaspora shqiptare po vazhdon edhe më tej të kontribuojë për atdheun e tyre.

“Gjatë pushtimit otoman, kolonitë shqiptare mbajtën lidhje të vazhdueshme me atdheun dhe dhanë kontributin e shquar në Lëvizjen Kombëtare dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë”, tha Koçi duke treguar për kontributin e shqiptarëve mërgimtarë në atdheun e tyre.

 

Të ngjashme