Haradinaj nderon Kandiqin me “Hartën e Artë të Kosovës”

Prishtinë | 23 Pri 2018 | 13:49 | Nga

Kryeministri, Ramush Haradinaj, priti në takim aktivisten për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe themeluesen e Fondit për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd, Natasha Kandiq.

Kryeministri ka shprehur kënaqësinë për takimin, i cili po zhvillohet në vigjilje të Samitit të Londrës, ku pritet që vendet e Ballkanit Perëndimor ta nënshkruajnë Deklaratën e përbashkët për evidentimin, burimet kredibile dhe rrethanat e vrasjeve në luftërat e viteve ’90 në këto hapësira. Me këtë akt synohet që të mos lejohet mundësia e falsifikimit të historisë.

“Të veprosh në një ambient të pasigurt dhe të mos i ndash viktimat në ‘të tyret dhe tonat’,  por të kërkosh drejtësi për ta dhe satisfaksion moral, është jo vetëm humanizëm i pashoq por edhe guxim qytetar e njerëzor”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj.

Kryeministri ka falënderuar Natasha Kandiqin për punën e madhe që ka bërë rreth evidencës së të vrarëve dhe të zhdukurve në konfliktin e Kosovës, dhe ka theksuar se të dhënat e publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, janë ende të dhënat më kredibile.

Në fund të takimit, kryeministri Ramush Haradinaj për kontributin e madh, i ka dhuruar Natasha Kandiqit, “Hartën e Artë të Kosovës”.

Kandiq është drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për të Drejtën Humanitare në Beograd, një organizatë për të drejtat e njeriut e cila vlerësohet për hetimet e saj sistematike dhe të paanshme për abuzimet e të drejtave të njeriut.

Që nga fillimi i luftërave jugosllave në fillim të viteve 1990, ajo ka dokumentuar dhe protestuar kundër krimeve të luftës të kryera midis viteve 1991 dhe 1999, duke përfshirë torturën, përdhunimin dhe vrasjen.

Të ngjashme