Haradinaj: Nëse sot jemi të bashkuar për ushtrinë, e çojmë në vend amanetin e heronjve

Prishtinë | 19 Pri 2018 | 13:11 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sot janë bërë 19 vjet nga rënia dëshmor e ish-gjeneralit të UÇK-së, Sali Çekaj. Çekaj ra dëshmor në betejën e Koshares bashkë me 12 bashkëluftëtarë më 19 prill 1999.

Në përkujtim të tij, në Prishtinë është mbajtur sot akademi përkujtimore, në të cilën kanë marrë pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Haradinaj, nën patronatin e të cilit u organizua akademia.

Presidenti Thaçi tha se me të filluar lufta, Sali Çekaj iu përgjigj momentit historik të atdheut. Thaçi tha se Çekaj mbolli guxim dhe shpresë në luftë, raportoi Ekonomia Online.

Sipas Thaçit, Çekaj e të tjerët nga komandantë u bënë prijës dhe nga prijës në heronj.

“Sot po kujtojmë dhe nderojmë jetën dhe veprën e një bashkëluftëtari që gjithçka vuri në shërbim të atdheut. Sali Çekaj ishte radhitur në lëvizjen studentore për çështjen e statusit të Kosovës. Si kuadër prej juristit, Sali Çekaj është një ndër të parët që hartoi statutin e Deçanit. Edhe gjatë viteve si emigrant luajti rolin e bashkimit të Diasporës”.

“Me të filluar lufta, Sali Çekaj iu përgjigj momentit historik të atdheut. Çekaj iu bashkua luftës së UÇK-së duke dhënë shtytje morale. Ai mbolli guxim dhe shpresë në luftë. Komandantët Agim Ramadani, Sali Çekaj e të tjerët janë dëshmi për sakrificë. Ata nga komandantë u bënë në prijës dhe nga prijës në heronj. Në kujtesën tonë institucionale, heroizmi i Sali Çekajt dhe të tjerëve do të mbetet frymëzim”.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se Sali Çekaj dallon në profilin e tij, sepse formimi i tij ishte i hershëm dhe shumëdimensional.

Haradinaj shtoi se një profil si Çekaj u ka ndihmuar bashkëluftëtarëve ta kuptojnë rrugëtimin më të qartë drejt lirisë. Nga kjo akademi, Haradinaj ka thënë se nëse jemi të bashkuar për formimin e ushtrisë e dërgojmë në fund amanetin e dëshmorëve.

“Sali Çekaj dallon në profilin e vet, sepse formimi i tij ishte i hershëm dhe pikëpamjet për liri ishin shumëdimensionale. Ai kishte punuar me ndryshuar normën në të cilën jetojmë, komunës së tij, nga një normë pushtuese në çliruese. Këto janë parametra të një intelektuali që e di me çka po përballet. Ai ishte i gatshëm me mbet në përgjegjësi kur kërkohet edhe lufta”.

“Flijimi i tij e përmbyllë një kapitull të luftëtarëve shqiptarë. Një profil i tillë i ka ndihmuar luftëtarët me kuptuar rrugëtimin më të qartë drejt lirisë. Me të drejtë flasim për veteranin dhe veteranët, këto janë momentet që në historinë tonë të re na fuqizojnë, na bëjnë më të zotë me vazhduar. Do të kemi çdo herë pikëpamje të caktuara, por nëse atë që na ka dhënë jeta ia kushtojmë atdheut gjithë do të jemi të bashkuar”.

“Nëse sot jemi të bashkuar me siguruar një transpozicionit të mirë të FSK-së në ushtri të Kosovës e çojmë amanetin e heronjve në vend. Nëse shkojmë në qoshe do ta pengojmë qëllimin për të cilin janë flijuar ata. Edhe kjo akademi ishte nder që i kushtohet brigadës 138 ‘Adem Ramadani’”.

Të ngjashme