Haradinaj: Një popull që është gati ta mbrojë lirinë me jetë, e ka të ardhmen e sigurt

Prishtinë | 06 Mar 2018 | 18:09 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të manifestimit gjithëpopullor për shënimin e 20-vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, u mbajt Akademi Përkujtimore, kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Për të përkujtuar sakrificën, luftën e lavdishme dhe rënien e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të Familjes Jashari, në këtë akademi ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve, familjarë dhe bashkëluftëtarë të Komandantit Legjendar Adem Jashari, si dhe qytetarë të tjerë.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Ramush Haradinaj, kujtoi luftën dhe heroizmin e komandantit Adem Jashari, duke theksuar se Familja Jashari janë sinonim i shqiptarëve.

“Në marsin e 1998-ës midis Evrope u shua një familje e tërë, por bota e lirë u zgjua dhe nuk lejoi të zhdukej një popull, i cili, nga historia evropiane dhe botërore kishte mësuar ndër breza të jetojë i lirë, në vend të vetin, me nder dhe dinjitet. Heronjtë dhe dëshmorët e Kosovës, veçanërisht Jasharët, na kanë mësuar këtë leksion: Vetëm një popull që është i gatshëm ta mbrojë lirinë me çmimin e jetës, e ka të ardhmen e sigurt!.”, tha kryeministri Haradinaj.

Të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti Rifat Jashari, vëllai i Komandantit Legjendar Adem Jashari. “Jemi sot në këtë Akademi Përkujtimore jo vetëm të Jasharëve, por të gjithë kombit shqiptarë, të gjithë atyre që ranë për liri”, tha ai, duke kujtuar të gjithë ata që ranë për lirinë e vendit.

Për luftën e lavdishme të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari, foli edhe historiani Marenglen Verli.

“Pas gati një shekull sakrifica populli ka atë që aspiroi. Në këto përpjejke spikat lufta e UÇK-së për liri e demokraci. Adem Jashari dhe anëtarët e tjerë të familjes i dhanë ushtrisë vrullin për përballjen me makinerinë ushtarake të Serbisë, i dhanë botës mesazhin se shqiptarët nuk lejojnë të shtypen. Tani është në dorën tonë të krijojmë atë që inspirojmë, marrjen e detyrave në shoqërinë evropiane”, tha Verli.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, tha se familja Jashari është pjesë e pavdekshme e kombit shqiptar.

“Jasharët janë 56 dëshmorë të kombit. Janë pjesë e pavdekshme e kombit shqiptar. Ata janë pjesë e jetës dhe përjetësisë tonë. Askush nuk mund ta nëpërkëmb luftën për çlirim të një populli. Ardhmërinë e lirisë së një vendi nuk e bënë politika por dëshmorët e kombit. Të 56 dëshmorët rrugën e madhe u kishin mësuar historia e kombit shqiptar”, tha Jashari.

Pjesë e kësaj Akademie ishin ambasadorët e Shqipërisë dhe Malit të Zi, pjesëtarë të familjes Jashari, politikanë dhe qytetarë.

Image may contain: one or more people, people on stage, shoes and indoor

Të ngjashme