Haxhiu: Bechtel Enka i trajton punëtorët si skllevër, Kuvendi të merret me këtë çështje

Prishtinë | 28 Tet 2017 | 15:25 | Nga

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vdekjes së sotme të një punëtori 41-vjeçar nga kompania Bechtel Enka.

Ka thënë se kjo kompani, punëtorët e vet i trajton sikur skllevër, ka akuzuar drejtorët se u japin atyre paga të vogla dhe se punëtorët nuk kanë fare kushte të mira për punë, transmeton Koha.net.

Haxhiu ka kërkuar që çështjen e të vdekurve nga kjo kompani, dhe nga të gjitha kompanitë e tjera, Kuvendi të merret urgjentisht me to, pasi sipas saj, Qeveria nuk po interesohet fare për jetën e tyre.

“Edhe sot paska humbur jetën në vendin e punës një punëtor i Bechtel Enkes. Kjo kompani i trajton punëtoret sikur të ishin skllevër: me paga të vogla, me mungesën e kushteve për punë e me shkelje të të drejtave. Ndërkohë kjo kompani është favorizuar vazhdimisht nga Shteti”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Tutje ajo ka thënë se “Humbja e jetës në vendin e punës është bërë normale dhe çdo jetë e humbur po kalon në harresë. Qeveria e cila nuk brengoset për nivelin e lartë të papunësisë e varfërisë, nuk shqetësohet as për të drejtat e të punësuarve dhe hesht e nuk vepron as kur dikush nga ta humbet jetën. Qeveria nuk interesohet për jetën e qytetarit”

“Janë dhjetëra punëtorë që kanë humbur jetën në vendin e punës dhe askush, asnjëherë, nuk dha përgjegjësi. Inspektorati i Punës duhet sa më parë të sjellë raport në Kuvend, në lidhje me vdekjet e punëtorëve në kompaninë Bechtel Enka dhe në kompanitë e tjera. Kuvendi urgjentisht duhet të merret me këtë çështje.

Të ngjashme