Haxhiu kundërshton kandidimin e Naser Shalës për zëvendësdrejtor

Prishtinë | 10 Pri 2018 | 14:42 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka mbajtur mbledhjen e radhës ku në rend dite ishte shqyrtimi i propozim-vendimit të Qeverisë për kandidatët për drejtor dhe zëvendësdrejtor të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe shqyrtimi i Projektligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu në fillim të mbledhjes shprehu pakënaqësinë e saj në lidhje me propozimin për zëvendësdrejtor, Naser Shalën, raporton Ekonomia Online.

Sipas saj, Naser Shala është personi i njëjtë i cili ishte i përfshirë në përgjimet e aferës “Pronto” dhe se personi në fjalë nuk duhet përkrahur këtë propozim të Qeverisë dhe  të propozohet për një pozitë të tillë.

“Naser Shala nuk e di a është personi i njëjtë i cili ka qenë i përfshirë në përgjimet e aferës “Pronto”, por nëse është i njëjti atëherë Qeveria ka gabuar shumë dhe propozoj që këtë çështje ta shtyejmë për mbledhjen e ardhshme”, tha Haxhiu.

Sipas saj, është e papranushme që të dërgohen persona të tillë në krye të detyrës së zëvendësdrejtorit që s’ka integritet profesional e intelektual dhe nuk është e drejtë që të propozohet dikush që është i përfshirë në këto përgjime.

“Kam respekt për secilin ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por nuk kam respekt për ata që e kanë shfrytëzuar luftën për t’u pasuruar më pas”, shtoi Haxhiu.

Anëtari i Komisionit Shkumbin Demaliaj, njëherësh deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i doli në mbrojtje Naser Berishës. Ai tha se ky person është qytetar i Republikës së Kosovës dhe ka të drejtë të aplikojë në cilindo institucion të Republikës si çdo qytetar tjetër.

“Naser Berisha është njeri i ndershëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe ka të drejtë me apliku në institucione, nuk kam asgjë private dhe nuk mundeni me i thanë kriminel dikujt që s’e njohim aspak dhe meqenëse ka ardhur propozimi deri këtu, atëherë ne si Komision duhet ta trajtojmë të tillë dhe duhet të ecim përpara”, tha Demaliaj.

Të ngjashme