Holbrooke: Ndjehuni krenarë

Prishtinë | 17 Shk 2017 | 08:16 | Nga

Me rastin e festave të mëdha, njerëzit zakonisht ftojnë miqtë e tyre më të mëdhenj. Kosova sot feston shkëputjen përfundimtare me Serbinë, pas një kohe të gjatë të një lidhje të dhunshme. Është botërisht e ditur se kjo ngjarje ka qenë e mundur vetëm pas ndërhyrjes dhe mbështetjes së komunitetit perëndimor, nën udhëheqjen e vazhdueshme amerikane. Vendimet e mëdha i nxjerrin shpesh njerëzit që gjenden në pozita udhëheqëse dhe shumëçka vërtet varet prej tyre, por historia shpesh harron, nuk gjen vend ose lë anash njerëzit që bëjnë punën duke bërë qindra mijëra kilometra udhëtimesh, miliona telefonatash, ndejash, hidhërimesh dhe kërcënimit të jetës familjare për të sjellë ato rezultate. Ambasadori Richard Holbrooke është një prej atyre njerëzve, të cilët duke e njohur historinë dhe realitetin e Serbisë dhe konflikteve të ndërlidhura me të, ndikuan në zvogëlimin e një lufte që ka mundur të jetë edhe më e tmerrshme, e pazgjidhshme në Kosovë. Edhe libri i tij “To end a War” do të mbetet një kujtesë shumë informative dhe një reflektim i patejkalueshëm për ngjarjet e ’90’tave në Ballkan. Zëri i tij vinte aq i qartë dhe i rrjedhshëm të shtunën nga New Yorku, një ditë përpara se shpalljes së pavarësisë në Prishtinë.

Express: Ambasador Holbrooke, Kosova do të deklarojë pavarësinë të dielën. Ka qenë një proces i gjatë. Shqiptarët dhe joserbët tjerë do të festojnë. Por, çfarë lajmi është kjo ngjarje globalisht?

Richard Holbrooke: Është lindja e një shteti të ri. Ky është gjithmonë një rrëfim i rëndësishëm. Dhe për shkak të një gjykimi të gjatë e të vështirë, një rruge të gjatë e të vështirë nëpër të cilën Kosova ka udhëtuar për t’u bërë e pavarur, është e një rëndësie të posaçme. Gjithashtu e ardhmja e Kosovës do të ndërlidhet shumë me stabilitetin e Europës Jug-Lindore. Kështu që kjo është një ngjarje shumë e madhe.

Express: Presidenti Sarkozy i Francës po vizitonte të premten një shkollë dhe u tha studentëve se harta e botës duhet ndërruar, pasi ka një shtet të ri. Në fakt, shumë shtete perëndimore kanë paralajmëruar se do të njohin Kosovën. Si u bë e mundur që pavarësia e Kosovës të fitojë kaq shumë mbështetje perëndimore?

Richard Holbrooke: Mbështetja amerikane për pavarësinë e Kosovës ka qenë rezultat i marrjes së një qëndrimi shumë të fuqishëm nga Presidenti Clinton dhe disa prej këshilltarëve të tij më të lartë se populli i Kosovës nuk mund të mbetet më nën shtypjen serbe. Një drejtësi e thjeshtë ndërkombëtare kërkohej që atyre t’u jepej shansi për të vendosur për çështjet e tyre. Ngjarjet që sollën pavarësinë e Kosovës janë të gjata dhe shkojnë prapa shumë e shumë dekada, natyrisht. Por përpjekjet moderne për pavarësinë vërtet qëndrojnë tek mbështetja e Presidentit Clinton dhe ekipi i tij i lartë këshillëdhënës. Kjo nuk do të ndodhte pa mbështetjen e SHBA’së dhe lidershipit të saj në intervenimin e NATO’s, dhe mbështetja e saj e plotë për pavarësinë më së fundi gjatë procesit të negociatave ka dërguar aty ku jemi sot.

Express: Bisedimet për statusin zgjatën shumë, por nuk arritën të gjenin një marrëveshje. Ka munguar kreativiteti diplomatik apo duhet fajësuar tjetërkush?

Richard Holbrooke: Rusia.

Express: Kemi parë një retorikë shumë të madhe të Rusisë kundër pavarësisë së Kosovës. Çfarë mund të jenë efektet e saj dhe çfarë mund të bëjë Moska tash?

Richard Holbrooke: Kjo është pyetja më e rëndësishme. Sot dhe nesër – këto janë ditët që Kosova të shikojë luftën e saj të gjatë për pavarësi dhe të ndihet krenare në këtë arritje historike. Por është gjithashtu një ditë për të shikuar për para se çfarë do të ndodhë tash kur Kosova po bëhet kombi i pavarur i Kosovës. Kjo është një çështje shumë shumë e rëndësishme. Komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështes shtetin e ri të pavarur. Por përgjegjësia më e madhe do t’i takojë vet popullit të Kosovës. Ata duhet të jenë të gatshëm të merren me një gamë të madhe problemesh që do të dalin në rrugën e tyre – ekonomike, sociale, politike dhe ndërkombëtare. Shteti i ri i Kosovës po lindë në një situatë shumë të vështirë. Të mos pretendojmë diçka tjetër. Kosova është e vogël dhe është e rrethuar me tokë (pa det). Ekonomia e saj është shumë e dobët kështu që do t’i duhet mbështetja ndërkombëtare. Kosova ka një kundërshtim të fuqishëm nga Serbia dhe Rusia, dhe me këtë duhet marrë. Dhe më e rëndësishmja për Kosovën është të ketë një pajtim me popullin serb – serbët që jetojnë në Kosovë dhe shtetin e Serbisë. Ka shumë shqiptarë që jetojnë në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe është shumë me rëndësi që ata të mos bëhen pjesë e problemit. Juve u duhen marrëdhënie të mira ekonomike me Serbinë për të mbijetuar. Lidershipi i ri në Prishtinë do të duhet të gjejë rrugë për ripajtim me Serbinë. Kjo nuk do të jetë e lehtë.

Express: Por, Serbia ka thënë se do të kundërshtojë pavarësinë me të gjitha mjetet ekonomike dhe politike.A është Serbia ende problem për jostabilitetin e rajonit?

Richard Holbrooke: Po, është. Është shumë. Dhe unë e kuptoj këtë qëndrim të Serbisë. Jam takuar me Presidentin Boris Tadic javën e kaluar në Konferencën e Munich’ut. Dhe kemi folur për këtë problem. Ai është një njeri i paqes. Por për arsye që të gjithë i kuptojnë ai nuk mund ta pranojë pavarësinë e Kosovës publikisht. Kjo është e pamundur për të. Por ai ka thënë se ai do të respektojë Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe se ai nuk dëshiron të ketë rishfaqje të dhunës. Do t’i takojë lidershipit të vendit tuaj (Kosovës) që të gjejnë rrugët për të mbrojtur popullin serb në Kosovë.

Express: Dhe a ka treguar lidershipi i Kosovës ndonjë shembull të mirë në atë drejtim këto vjet pas 1999?

Richard Holbrooke: Mendoj që lidershipi i Kosovës në masë të madhe ka bërë një punë shumë të mirë. Por do të ketë një test shumë serioz këtu. Katër, apo tri e gjysmë komunat në veri të Kosovës, duhet të trajtohen në një mënyrë të duhur. Gjëja esenciale është që komuniteti ndërkombëtar të punojë në ripajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve. Tash, unë e di sa e vështirë do të jetë kjo, por nëse kjo nuk bëhet, vendi juaj, vendi juaj i ri, do të jetë në rrezik që nga dita e parë e krijimit. Nuk është faji i popullit shqiptar, por tash pavarësia është një moment shumë shumë i madh për popullin tuaj. Si një njeri që ka punuar shumë për shumë vjet, unë uroj të gjithë në Kosovë për atë që është arritur. Por në të njëjtën kohë unë duhet të them krejt miqësisht se e ardhmja është e rrezikshme dhe me të duhet marrë me aftësi të madhe. Duhet të ketë tentime për pajtim, edhe pse serbët kanë thënë shumë qartë se ata nuk mund të pranojnë pavarësinë e Kosovës. Por dje më është njoftuar se Kryeministri Kostunica ka thënë se pavarësia e Kosovës tash është realitet. Kjo është hera e parë që dikush në Beograd e ka pranuar atë që është e dukshme dhe ky është një hap përpara.

Express: Teksa jemi tek Vojislav Kostunica, janë të shumtë ata që besojnë se ai ka qenë në rrugën e marrëveshjes së kompromisit. Sa gjatë mund të mbetet në pushtet nëse tash kundërshton integrimin në BE për shkak se vendet anëtare do të njohin Kosovën?

Richard Holbrooke: Nuk e di përgjigjen. I takon popullit të Serbisë të vendosë. Ata kanë një proces demokratik dhe ata kanë një Qeveri të ndarë. Presidenti dhe Kryeministri nuk janë shumë të afërt, Qeveria nuk funksionon shumë mirë, Këshilli i ministrave takohet rrallë, disa prej ministrave mbështesin Presidentin Tadic dhe disa mbështesin Kryeministrin Kostunica. Kjo duhet të zgjidhet. Por kjo nuk është çështje e juaja në Kosovë. Çështja juaj është të filloni shtetin tuaj në bazë të krenarisë për këtë arritje të madhe të popullit të Kosovës, të cilët kanë luftuar për pavarësinë kaq gjatë, për të mbajtur unitetin tuaj të brendshëm e për të mos rënë në fraksionalizëm politik, të mbështesni Qeverinë tuaj dhe të gjeni rrugë të punoni me komunitetin ndërkombëtar dhe të bëni Serbinë të punojë me ju. Do të marrë ca kohë, do të duhet durim, por është absolutisht thelbësore. Kështu që kjo është një ditë historike për Kosovën dhe për Europën pasi një shtet i ri po lindë. Por po lindë në rrethana shumë të vështira dhe ne duhet të jemi të ndershëm në lidhje me këtë.

Express: Sa kohë mund t’ju marrë të gjitha palëve që kanë qenë të përfshira në konflikt të mësohen me pavarësinë e Kosovës?

Richard Holbrooke: Kjo është një pyetje shumë e mirë, por unë natyrisht nuk e di përgjigjen. Nuk do të ndodhë brenda natës. Kjo (pavarësia) është shumë shumë e hidhur për Serbinë. Në mendjet e tyre ata kanë humbur diçka që ata mendojnë se u takon atyre. Por në mendjen e botës, ajo nuk u takon atyre. Në mendjet tona, përfshirë mua, është një komb i pavarur. Dhe prandaj do të merr kohë. Shikojeni Greqinë dhe Maqedoninë. Pesëmbëdhjetë vjet që kur Maqedonia ishte krijuar, ato kishin marrëdhënie tregtie, ekonomie, por ato ende argumentojnë në lidhje me gjëra të tilla siç është emri i vendit. Ka konflikte tjera të ngrira në tërë botën. Shikojeni Nagorno-Karabakh, Abkhazinë. Ne tash duhet të provojmë të parandalojmë këtë situatë (Kosovën) të bëhet konflikt i ngrirë. Kështu që një dialog mes Prishtinës dhe Beogradit do të jetë i rëndësishëm. Tash, i takon serbëve të pranojnë realitetin e një shteti të ri. Po e përsëris se i takon serbëve të pranojnë realitetin e shtetit të ri. I takon shqiptarëve dhe Qeverisë në Prishtinë të sigurojnë se serbët që jetojnë në Kosovë nuk abuzohen, por se janë të mbrojtur, se monumentet e tyre fetare dhe historike janë të mbrojtura, dhe se jetojnë në paqe me fqinjët e tyre shqiptarë.

Express: Ambasador Holbrooke ju kemi parë shpesh këtu në Ballkan. Çfarë ishte Jugosllavia?

Richard Holbrooke: Kuptimi im i historisë ishte se Jugosllavia ishte krijuar gjatë periudhës së pas Luftës së Parë Botërore, me Traktatin e Versajës dhe traktateve tjera dhe nuk ka qenë kurrë një ide e mirë sepse provonte të fuste në një shtet të vetëm shumë shumë grupe individuale etnike të cilat meritonin të kishin shtetin e tyre. Dhe si pasojë e saj ju pashmangshmërisht kishit disa luftëra, disa shkëputje. Jugosllavia është e vdekur, ka qenë një eksperiment i dështuar. Ishte lindur më 1920 dhe vdiq në 1990’tat. Kjo është pjesa e fundit. Mali i Zi u bë i pavarur, Kosova po bëhet e pavarur. Dikur ishte një shtet, tash shtatë. Dhe ky është rezultati i duhur (korrekt).

Express: Ambasador Holbrooke, pyetja e fundit. Cili është momenti specifik që ju ndjeni, kujtoni, se ishte pika e kthesës që pavarësia e Kosovës të bëhej opsion realist?

Richard Holbrooke: Kjo është ekstremist e lehtë për mua. Në mars të vitit 1999 unë shkova në Beograd dy herë, si Emisar Special i Presidentit Clinton. Në udhëtimin e dytë i thash Presidentit Milosevic se ai kishte vetëm dy zgjidhje – ose të pranojë pozicionin ndërkombëtar për Kosovën, ose ne do të fillonim një fushatë ushtarake kundër Serbisë dhe ajo do të fillonte menjëherë posa unë të largohesha nga vendi, ajo do të ishte e shpejtë, e vendosur dhe e mbështetur. Ne folëm për disa orë, vetëm, në mëngjesin e fundit. Ai refuzoi të lëvizë nga qëndrimi i tij. Dhe saktësisht pasdite në Beograd, unë i thash atij: “Tash më duhet të shkoj, cila është përgjigja juaj e fundit?”. Ai tha: “Bëjeni çfarë të doni, unë s’mund të lëvizë”. Dhe pastaj ne u ngritëm të shkojmë dhe ai tha: “A do të shohë më ndonjëherë?”. Unë i thash: “Kjo varet krejtësisht nga ajo se çfarë do të bëni në vazhdim”. Unë u vozita deri në ambasadë, pashë në televizor se Kuvendi Kombëtar u mblodh për të aprovuar refuzimin e pozicionit amerikan. Dhe sapo kjo ndodhi ne shkuam në aeroport, hymë në aeroplan dhe fluturuam në Budapest. Kur shkuam në Budapest, bombardimi filloi. Që prej bombardimit në pranverë 1999 deri në ngjarjet e sotme, janë tetë vjet, janë shumë gjatë për pikëpamjen time. Është dashur të ndodhë shumë më herët. Por kjo po ndodhë përfundimisht dhe unë mund të them gjithmonë se ai ishte momenti që unë do të kujtojë nga i cili rrugëtimi drejt pavarësisë vërtet fillon për komunitetin ndërkombëtar.

Express: Ambasador Holbrooke,kam parë librin tuaj “To End a war” dhe ishte fantastike të lexohej. Faleminderit për intervistën dhe gjithçka që keni bërë për Kosovën.

Richard Holbrooke: Faleminderit. Unë pres një të ardhme paqësore dhe prosperuse për popullin e mrekullueshëm kosovar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme