Hoxha: Me projektligjet e miratuara plotësojmë kriteret e agjendës evropiane

Prishtinë | 10 Mar 2017 | 13:12 | Nga

Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, janë shqyrtuar dhe pas diskutimeve të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot, janë miratuar në parim, në lexim të parë, katër projektligje.

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka prezantuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trashëgiminë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën jo-kontestimore, Projektligjin për Noterinë dhe Projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Në ekspozenë për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trashëgiminë, Ministrja Hoxha, theksoi se me këto ndryshime, forcohet roli i gruas në trashëgimi.

“Projektligji do t’i eliminoj pengesat të cilat janë hasur gjatë zbatimit të ligjit ekzistues dhe harmonizimit të dispozitave të caktuara të këtij ligji me ligjin për Procedurën jo-kontestimore dhe ligjit për Noterinë”, theksoi Hoxha dhe vuri në dukje se me këtë projektligj, do të forcohet roli i gruas në trashëgimi.

Lëndët e natyrës trashëgimore, do të trajtohen dhe zgjidhen në afat më të shkurtër, theksoi Ministrja, ngase në kuadër të këtij projektligji, janë rishikuar dispozitat që u referohen afateve, gjë që do të ndikoj në ngritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të organeve kompetente në trajtimit dhe zgjidhjes së këtyre lëndëve trashëgimore.

Ministrja Hoxha, me rastin e shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën jo-kontestimore theksoi se ky projektligj është hartuar dhe finalizuar nga Ministria e Drejtësisë, përmes të cilit synohet që krahas eliminimit të pengesave të hasura në zbatimin të ligjit në fuqi, të bëhen harmonizimi i dispozitave të caktuara të këtij ligji me ligjet të tjera të kësaj fushe para së gjithash me Ligjin për Trashëgimi dhe me Ligjin për Noterinë.

“Me qëllim të krijimit të sigurisë, për të eliminuar mundësinë e keqpërdorimit të heqjes dorë nga trashëgimia, projektligji ka përcaktuar ndër të tjerash që noteri paraprakisht me deklarimin për heqjen dorë të zhvillojë një bisedë me trashëgimtarin për tu siguruar se trashëgimtari nuk është vënë nën presion për të hequr dorë nga trashëgimia përkundër vullnetit të tij”, theksoi Hoxha.

Në kuadër të prezantimit të Projektligjeve para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka paraqitur Projektligjin për Noterinë i cili, sipas Ministres, është hartuar me qëllim të avancimit të mëtejmë të sistemit të noterisë.
Ministrja Hoxha theksoi se hartimi dhe finalizimi i këtij projektligji është bërë në konsultim me akterët vendorë dhe me partnerët ndërkombëtarë veçmas me Odën e Noterëve, përfaqësues nga USAID, projekti i Bashkimit Evropian për profesionet e lira si dhe institucionet tjera.

Ndërsa Projektligji për parandalimin e konfliktit të interesit, është fokusuar në parandalim dhe luftimin e kësaj dukurie, theksoi Ministrja Hoxha, gjatë prezantimit të këtij projektligji, në lexim të parë.

Ajo theksoi se hartimi dhe finalizimi i këtij Projektligji është rezultat i punës dhe përkushtimit të vazhdueshëm të Ministrisë së Drejtësisë në funksion të avancimit të infrastrukturës ligjore me theks të veçantë legjislacionit të fushës së luftimit dhe të parandalimit të korrupsionit, po ashtu miratimi i këtij Projektligji është pjesë e agjendës evropiane të reformave, ERA.

“Përmes angazhimeve tona, institucioneve përgjegjëse po iu ofrojmë legjislacion adekuat në mënyrë që puna e tyre të jetë sa më efikase dhe efektive në drejtim të parandalimit dhe luftimit të dukurive negative veçmas korrupsionit, dhe në këtë aspekt edhe konfliktit të interesit”, tha Ministrja Hoxha.

Duke folur për rëndësinë e këtij Projektligji, Ministrja Hoxha tha se është bërë përpjekje që t’i kushtohet vëmendje e veçantë aspektit preventiv, përkatësisht parandalimit të konfliktit të interesit. Ministrja shtoi se ky është një ligj që do të ndikojë në avancimin e mëtejmë të parandalimit dhe luftimit të dukurive të tilla në vendin tonë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme