Hoxhaj për rastin “Lagjja e trimave”: Keqtrajtimi i të arrestuarve rëndon komunikimin

Prishtinë | 12 Tet 2016 | 09:34 | Nga

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i vlerëson të mira marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Kosovës, por ka tërhequr vëmendjen se keqtrajtimi i të akuzuarve për rastin “Lagjja e Trimave” në Kumanovë mund të vështirësojë komunikimin mes dy vendeve.
Në një intervistë ekskluzive për TV Art, Hoxhaj thotë se keqtrajtimi i të burgosurve është i papranueshëm.

“Incidenti i Kumanovës është tejkaluar si ngjarje, por ajo që rëndon shpeshherë raportin me Shkupin është keqtrajtimi i të burgosurve gjatë transportit. Ne kemi ngritur shqetësimin tonë në nivel politik, pasi një gjë e tillë është e papranueshme, por Maqedonia duhet të respektojë standardet ndërkombëtare”,- tha ministri i Jashtëm i R. së Kosovës, Enver Hoxhaj.

Fillimi me punë i Gjykatës Speciale në Kosovë ka filluar të tronditë skenën politike atje, por Hoxhaj thotë se politika në Kosovë është e gatshme të bashkëpunojë dhe këtë e ka treguar edhe me ndryshimin e Kushtetutës për t’i hapur rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

“Ne kemi bërë përpjekje maksimale që të tregojmë se Kosova bashkëpunon me drejtësinë dhe institucionet ndërkombëtare. Kemi marrë vendime të vështira dhe kemi ndryshuar Kushtetutën me qëllim të themelimit të Gjykatës Speciale. Se kur do të fillojë nuk e dimë, nuk e di as bashkësia ndërkombëtare, pasi gjyqësia është e pavarur. Ne vetëm presim që të bashkëpunojmë”,- tha ministri i Jashtëm i R. së Kosovës, Enver Hoxhaj.

Sa i përket njohjeve të shtetit të ri, Hoxhaj në intervistën për TV Art thotë se Kosova aktualisht është njohur nga 112 shtete të botës dhe ka aderuar në 50 organizata ndërkombëtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme