Ish-presidentja Jahjaga: Vetëm 3 kallëzime penale për dhunën seksuale gjatë luftës, asnjë i dënuar

Prishtinë | 05 Kor 2018 | 11:43 | Nga Enea Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-presidentja Atifete Jahjaga tha se viktimat e dhunës seksuale gjatë kuftës së viteve 1998-99 janë diskriminuar nga shoqëria madje edhe janë përballur me dhunë psikike e fizike.

Jahjaga në konferencën e organizuar nga UN Women, me timen “Drejtësia për të mbijetuarat e dhunës seksuale të ndërlidhur me konflikt – Sfidat dhe rruga përpara”, shtoi se vetëm 3 kallëzime penale janë ngritur për këtë krim, siç ajo e quan makabër.

Asnjë nga ata që kryen këtë krim potencoi ish-presidentja nuk janë dënuar dhe se kriminelët jetojnë të lirë, raporton Ekonomia Online.

“Është e vërtetë e hidhur e kapitullit më të erret të historisë së Kosovës. Këtë të vërtetë e kemi heshtur dhe u kemi shkaktuar dëm viktimave që përballen me dhunë fizike dhe psikike”.

“Ne i kemi dekurajuar të flasin publikisht. Vetëm për 3 raste janë ngritur kallëzime penale. Deri sot nuk është dënuar asnjë person për dhunime seksuale. Kriminelët e këtyre krimeve jetojnë të lirë, ndryshe nga viktimat”, tha Jahjaga.

“Ne arritëm të ndryshojmë legjislacionin, duke futur të dhunuarat e luftës si kategori të veçantë. Ne nuk mund të lejojmë që bota t’i mbyllë sytë për këtë krim makabër. E dimë se jemi duke punuar në rrugën e duhet, por duhet t’i nxisim më shumë qe ta ngrisin zërin”.

Si hallkë e fundit, sipas Jahjagës, janë prokurorët dhe gjykatësit, të cilët do të mund t’i sjellnin kriminelët para drejtësisë.

Flora Macula, shefja e zyrës së “Un Women” në Kosovë, e cila tha se çështja e dhunës seksuale të grave e ndërlidhur me konflikt ka qenë e anashkaluar për shkak të stigmës.

“Përkrahja e parë për gratë e dhunuara kanë qenë organizatat”.

Macula theksoi si hap të rëndësishëm protestën e 8 marsit të vitit 2012 me moton “Nuk duam lule, duam drejtësi për gratë e dhunuara”.

“Ne si organizatë për fuqizim të grave kemi mbështetur të gjitha iniciativat qytetare dhe të Qeverisë. Mendohet se janë rreth 20.000 njerëz të dhunuar gjatë luftës, edhe pse shifra e saktë nuk do të dihet kurrë, mirëpo vetëm 500 raste janë paraqitur”.

Në konferencë do të merrte pjesë edhe Kryeministri Haradinaj, mirëpo ai nuk pati mundësi, tregoi Jahja Lluka, këshilltari politik i tij. Lluka tha se kjo metodë ka qenë mënyrë diskriminuese e Serbisë ndaj popullit shqiptar.

“Qeveria e Kosovës duhet të jetë e gatshëm ta ndihmojë Komisionin dhe organizatat e tjera në këtë fushë.

Lluka shtoi se Qeveria ka filluar regjistrimin edhe kompensimin e grave të dhunuara.

“Duhet të punojmë se bashku që shoqëria ta ndalë stigmatizimin. Shteti ka detyrë t’i mbrojë viktimat. Mbrojtja ka filluar por nuk duhet te ndalet”.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Fadil Nura, tha se kjo ministri është në proces të hapjes së një departamenti, që do të merret me krimet e luftës, me theks të veçantë ato të dhunës seksuale, raporton EO.

“Disa prej viktimave kanë kryer vetëvrasje, disa janë në depresion ose të stigmatizuara. Për gati dy dekada, organizatat ishin të vetmet ku viktimat merrnin përkrahje dhe shpreheshin. Viktimat kanë qenë të gjitha llojeve: nëna, gra, vajza, studente e intelektuale, por ato kanë diçka të përbashkët, kërkojnë drejtësi. Duhet t’i ndihmojmë t’i qasen gjykatave që të dënohen kriminelet”.

“Ministria e Drejtësisë është në proces të hapjes së një departamenti, që do të merret me krimet e luftës, me theks të veçantë ato të dhunës seksuale”.

Ndërsa sipas koordinatores për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardsonit, dhunimi i grave është përdorur si armë lufte.

“Përveç akteve të dhunës ka pasur edhe poshtërim. Dhe kështu ato janë viktimizuar dyfish edhe nga familja dhe shoqëria. Të mbijetuarat heshtin për shkak të turpit”.

Drita Hajdari, Prokurore në departamentin për krimeve lufte në PSRK, tha se në mesin e krimeve të luftës, dhunimi seksual përben një prej krimeve më të rënda.

“Ato radhiten si vepra penale kundër njerëzimit dhe të drejtave të njerëzimit, jo vetëm në Kosovë por edhe ndërkombëtarisht”. Janë 900 lëndë për krime lifte dhe 2000 dosje për të zhdukurit e luftës”, tregoi ajo.

Hajdari tha se disa kryerës të këtyre krimeve janë identifikuar, edhe pse kjo është e vështirë sepse viktimat nuk janë në gjendje të japin fakte të sakta, për shkak të traumave që i përjetojnë.

“Faktor tjetër është se kriminelët janë në Serbi dhe Serbia nuk bashkëpunon në gjetjen e tyre. Mos e akuzoni prokurorinë qe nuk ka arritur me i identifikuar ata persona”.

Edi Gusia, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë për Barazi Gjinore, kërkoi që reparacioni i grave të dhunuara gjatë luftës duhet të jetë pjesë e Dialogut me Serbinë.

“Asnjë politik nuk ka vlerë nëse ato nuk kthehen në sjellje të përditshme si trajtohen këto gra”.

 

Të ngjashme