Ja çka thotë Lladrovci rreth kidnapimit të Dr. Hafir Shalës

Prishtinë | 10 Pri 2018 | 18:56 | Nga

Pas Akademisë kushtuar 20 vjetorit të zhdukjes së Dr. Hafir Shalës, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka shkruar “dy fjalë”, ku ka kërkuar nga Prokuroria speciale hetimin e rastit pasi dëshmitarët janë gjallë.

Ai ka theksuar po ashtu se “Dr. Hafiri dhe Familja e tij, meriton çdo respekt. Një Akademi, kushtuar jetës e veprës së tij, është e pamjaftueshme të pasqyrojë gjithë aktivitetin e tij patriotik e profesional, në shërbim të çlirimit të vendit tonë”.

Ja postimi i plotë i Ramiz Lladrovcit:

“Dy fjalë pas përkujtimit të 20 vjetorit të kidnapimit të Dr. Hafir Shala

Sot, me Akademi, në Drenas, është përkujtuar patrioti, veprimtari, ish i burgosuri politik dhe humanisti i madh, ndër mjekët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dr. Hafir Shala.

Dr. Hafiri dhe Familja e tij, meriton çdo respekt. Një Akademi, kushtuar jetës e veprës së tij, është e pamjaftueshme të pasqyrojë gjithë aktivitetin e tij patriotik e profesional, në shërbim të çlirimit të vendit tonë.

Sot, jam ndjerë në veçanti i prekur, kur përpjekjet e mia të para disa viteve, po ripërsëriten dhe fati i Dr. Hafirit, mbetet ende enigmë!

Unë kam ndjerë obligim, për shkak të lidhjeve të sinqerta familjare me heroin Hafir Shala dhe me të drejtë, kam ngritur shqetësimet e mia për mënyrën e zhdukjes së tij, kur dihen njerëzit që mund të flasin për këtë rast tragjik.

Edhe atëherë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe sot, si kryetar i Drenasit, theksoj se dihen personat që kanë njohuri për kidnapimin e Dr. Hafir Shalës. Ata janë gjallë.

Kam kërkuar nga Prokuroria speciale të intervistojë personat që dinë për rastin e zhdukjes së Dr. Hafirit, doktorrit të UÇK-së. Ata dëshmitarë së paku të japin një sqarim zyrtar për Familjen Shala dhe për opinionin se çka ka ngjarë me të.

Shpreh keqardhje për “mësuesin” që para disa vitesh e pengonte fjalën time për ndriçimin e rastit në Kuvendin e Republikës, e sot, në emisionin dokumentar, kushtuar Dr. Hafir Shalës, reflektonte ndryshe.

Kontributi i secilit për çështjen e zbardhjes së rrethanave të kidnapimit dhe zhdukjes së Dr. Hafirit dihen.

Një porosi për të gjithë ata që duan ta blejnë të kaluarën: Kot e keni, e kaluara mbetet çfarë ishte, ajo nuk blihet!

Sërish i bëj thirrje Prokurorisë, hetoni njerëzit e gjallë, dëshmitarë të zhdukjes së Dr. Hafir Shalës!

Lavdi jetës dhe veprës së Dr. Hafir Shalës!

Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit!”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme