Jahjaga: Kërkesë e viktimave të dhunës seksuale është dënimi i fajtorëve

Prishtinë | 11 Tet 2018 | 18:36 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në diskutimin e hapur me temën “Luftimi i stigmës ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë”, organizuar nga Fondacioni “Jahjaga”, ish-presidentja Atifete Jahjaga tha se takimet e para me viktimat e mbijetuara nga kjo lloj dhune kanë qenë nga më të dhimbshmet dhe më emocionalet të cilat kanë lënë shenjë tek ajo.

Jahjaga deklaroi se kërkesa e vetme e viktimave të dhunës seksuale është nxjerrja para drejtësisë e kryerësve të këtyre krimeve, sipas saj, makabre, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka shprehur mllefin që ende asnjë prej autorëve të këtyre krimeve nuk është dënuar, duke thënë se kultura e mosndëshkimit po i dëmton viktimat.

“Kërkesa kryesore është që t’i shohin para drejtësisë ata që kanë kryer këto krime makabre. Trupi i këtyre grave dhe burrave është shndërruar në fushëbetejë, derisa ne kemi përjetuar lirinë në një mënyrë apo tjetër”.

“Deri më tani nuk kemi as edhe një kryerës të dënuar për këto raste, qoftë në Kosovë apo në Gjykatën e Hagës. Kultura e mosndëshkimit po reflekton ndaj viktimave”.

Jahjaga ka thënë se ajo dhe gratë janë ndier të fyera nga deputetët e Kuvendit të Kosovës kur kundërshtohej që viktimat t’i nënshtrohen ekzaminimit gjinekologjik, raporton EO.

“Kur kishte iniciativa që këto viktima t’i nënshtrohen ekzaminimit gjinekologjik 14 vjet pas luftës, kjo ishte fyerje për mua dhe për gratë. Kjo ka qenë pikë kthese. Kompetencat nuk ishin edhe aq të qarta që të punoje për adresimin e kësaj çështjeje”.

Jahjaga tutje tha se shkaktarët kryesorë pse kjo çështje nuk është trajtuar menjëherë pas luftës janë mentaliteti i shoqërisë dhe pakujdesia e institucioneve për të trajtuar këtë çështje.

Ajo ka theksuar se kultura e mosndëshkimit është e paarsyeshme, si për institucionet vendore ashtu edhe për ato ndërkombëtare.

“Është proces goxha i vështirë dhe duhet të jemi mirënjohës për secilin anëtar të komisionit qeveritar. Nuk kemi shumë aplikime, por qe 5 vjet ofrohet mundësia e aplikimit. Kultura e mosndëshkimit që po dominon në Kosovë, për një numër rreth 20 mijë gra dhe burra që janë dhunuar, është e pajustifikueshme, si për institucionet vendore edhe për ato ndërkombëtare”.

“Çështja tjetër që i kam dhënë rëndësi  ka të bëjë edhe me ndërkombëtarizimin e çështjes së viktimave të dhunës seksuale. Kjo po vazhdon të neglizhohet vetëm pse Kosova nuk është anëtare e OKB-së”.

Minire Begaj, kryetare e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, tha se sot po diskutojnë me një progres të shtuar, raporton EO.

Sipas saj, deri më tani institucionet kanë marrë një mori aktivitetesh dhe veprimesh për këtë çështje, duke përmendur miratimin e ligjit më 2014 dhe vendimin për formimin e komisionit qeveritar.

Begaj deklaroi se mënyra e aplikimit për ta fituar këtë status është e lehtë.

“Ata që kanë përjetuar dhunë seksuale mund të drejtohen në sekretarinë e komisionit, katër OJQ-ve që janë të autorizuara dhe shtatë zyrtarëve”.

Begaj tha se përgjatë 7 muajve sa janë duke u marrë me shqyrtime të aplikimeve, deri në fund të shtatorit te ky komision janë bërë 780 aplikime në nivel vendi. Sipas saj, nga rastet e shqyrtuara, ua kanë njohur statusin 143 personave, ndërsa 103 raste janë refuzuar.

Begaj u shpreh se puna është duke shkuar mirë përkundër sfidave, derisa shtoi se po bëjnë të pamundurën që vlerësimi në fund të jetë objektiv.

“Procesi po shkon mirë, përkundër që gjatë shqyrtimit kemi disa vonesa. Lëndët nganjëherë nuk na vijnë të kompletuara ose storjet janë të mangëta. Nëse një dokumentacion ose storje  është jo e plotë, komisioni mund të kërkojë të dhëna shtesë”.

Begaj tha se për këtë kategori të personave duhet të ketë qasje më të lehtë në punësim e drejtësi.

“Stigma është zbehur sepse institucionet kanë menduar për këtë kategori, po kemi më shumë gjithëpërfshirje. Për këtë kategori duhet të ketë qasje më të lehtë në punësim, drejtësi. Kemi një pension 230 euro, nuk është i kënaqshëm por sipas mundësive është solid”.

Përfaqësuesja e ambasadës së Finlandës në Kosovë, Jehona Demaj – Salihu, tha se ambasada qysh në fillim përmes fondeve ka ndihmuar organizatat e shoqërisë civile.

“Përvec qasjes në drejtësi, shumë i rëndësishëm do të ishte fuqizimi i këtyre grave. Fuqizimi ekonomik dhe vetëdijësimi duke filluar nga familjet e deri te shoqëria. Ngritja e vetëdijes duhet të jetë projekt i vazhdueshëm, me vite të tëra”.

Fondacioni “Jahjaga”, i cili është formuar së voni, ka për qëllim të punojë dhe kontribuojë drejt një shoqërie demokratike që do të mundësojë gjithëpërfshirje shoqërore. Fondacioni ka në fokus kryesisht gratë dhe rininë. Qasja në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale është një nga çështjet me të cilat merret ky fondacion.

Të ngjashme