Jahjaga: Statusi i viktimave të dhunës seksuale të njihet nga OKB-ja

Prishtinë | 13 Mar 2017 | 19:56 | Nga

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se Kosovës i duhet një mbështetje më e madhe e shteteve aleate në njohjen ndërkombëtare të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Kosovës i duhet mbështetje e fuqishme në njohjen e rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës në nivel të Kombeve të Bashkuara”, tha Jahjaga.

Këto komente ajo i bëri gjatë një fjalimi të mbajtur me rastin e publikimit të edicionit të dytë të Protokollit Ndërkombëtar mbi Dokumentimin dhe Hetimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.

Lansimi i këtij protokolli u bë nga Ministrja e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe Përfaqësuese Speciale e Kryeministrit për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, Baronesha Joyce Anelay, në kuadër të shënimit të pesë-vjetorit të Iniciativës për Parandalimi e Dhunës Seksuale në Konflikt.

Iniciativa ishte nisur në vitin 2012 nga Sekretari i atëhershëm i Punëve të Jashtme, Lord Willliam Hague of Richmond dhe e Dërguara Speciale e UNHCR-së, Angelina Jolie.

Presidentja Jahjaga mori poashtu pjesë në një takim të përbashkët me panelistët të udhëhequr nga Baronesha Anelay, me të cilën pastaj e zhvilloj një takim të ndarë ku u bisedua veçanërisht për statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe mënyrat për të ndërkombëtarizuar këtë çështje.

Vlerësohet se gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999 janë dhunuar seksualisht mbi 20,000 gra e burra.

Mbretëria e Bashkuar është një prej mbështetësve më të zëshëm të Kosovës në adresimin e çështjes së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në arenën ndërkombëtare.

Në ngjarjen e së hënës u paralajmërua një takim tjetër ndërkombëtar për vitin 2019 ku pritet të rishikohen zotimet e bëra në Samitin e Londrës për Dhënien Fund të Dhunës Seksuale në Konflikt të mbajtur në vitin 2014, dhe shikimi i mundësive për nxitjen e veprimeve ndërkombëtare në këtë fushë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme