Kaçaniku: Mungon vetëdijesimi i konsumatorit rreth të drejtave të tij

Prishtinë | 17 Pri 2017 | 13:29 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Moszbatimi e ligjeve dhe mosinteresimi i institucioneve rreth cilësisë së shërbimeve që pranojnë konsumatorët kosovarë, ka bërë që ata t’ui ekspozohen rreziqeve të shumta që sjellin shërbimet e cilësisë së ulët.

Selatin Kaçaniku, nga Shoqata “Konsumatori”, ka thënë për Ekonomia Online se mungesa e vetëdijesimit të konsumatorit rreth të drejtave të tij ka bërë që problemet e përditshme që i has të mos adresohen.

Ai ka thënë se edhe qeveritë kanë dështuar ta mbajnë të informuar qytetarin rreth këtyre të drejtave. “Po të ishte qytetari konsumator dhe taksapagues i informuar, i arsimuar dhe i vetëdijesuar ashtu si e kanë për obligim institucionet/asociacionet t’i informojnë ata, konsumatori do të ishte mjaft mirë i mbrojtur”, ka thënë ai.

Edhe mungesa e zbatimit të ligjeve ka bërë që konsumatori i Kosovës të mos ketë mundësi të vetëmbrohet.

Kaçaniku, problemin më të madh e sheh te shëndetësia, duke theksuar se “pritja që kjo shëndetësi të shërojë mbetet vetëm një iluzion”.

Por, probleme që qytetari të përmbushë nevojat themelore socio-ekonomike, ka pothuajse në të gjitha fushat.

Sa i përket cilësisë së artikujve ushqimorë që kosovarët konsumojnë, Kaçaniku thotë se gjendje vazhdon të jetë në përmasa shqetësuese, derisa “institucionet tona nuk interesohen se çka konsumon qytetari”.

“Nëse kemi parasysh se artikulli ushqimor ndikon drejtpërsëdrejti në shëndet, është edhe ilaç, Ministra e Shëndetësisë nuk merret fare me këtë temë. E cilësia e ushqimit e merr goxha një kosto nga mirëqenia jonë sociale nga standardi dhe xhepi jonë”, tha ai.

Fajin për këtë, Kaçaniku, ia adreson një rrjeti hierarkik që, sipas tij, bashkëpunon në kurriz të qytetarëve.

“Mashtruesit janë po këta të cilët janë të lidhur me këtë hierarkinë që do të thotë ne kemi të bëjmë me një rrjet i cili funksionon jashtëzakonisht mirë për të na mashtruar”, tha ai.

Ai thotë se më e keqja në këtë mes është se politika, e cila është më e interesuar ta fuqizojnë partinë sesa shtetin dhe se kjo sipas Kaçanikut është anomali e cila dëshmon për një nivel shumë të ulët politik.

Kaçaniku thotë se Brukseli zyrtar ka rekomanduar që Kosova duhet të fillojë të respektojë të drejtat e konsumatorit.

Por, sipas tij, “heshtja” nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë tregon se gjendja nuk do të ndryshojë edhe për një kohë të gjatë.

Të ngjashme