Kaplan: Serbia destabilizuese në rajon, vetëm BE e qetëson Ballkanin

Prishtinë | 19 Kor 2017 | 18:01 | Nga

Robert Kaplan, autor i librit “Fantazmat e Ballkanit”, thotë se Serbia “për shkak të madhësisë dhe të rëndësisë gjithmonë ka qenë më problematikja” në Ballkanin Perëndimor.

Për këtë arsye e konsideron “faktor të destabilitetit” në rajon, ndërsa sikurse edhe të gjithë Ballkanin, që ka mbetur jashtë Bashkimit Europian, e radhit ndër “shtetet pjesërisht të dështuar”.

Kohë më parë ai shkroi në New York Times se Bashkimi Europian është i domosdoshëm për Ballkanin dhe se të gjitha vendet e këtij rajoni duhet të hyjnë në BE. Sipas Kaplanit, Brukseli është i vetmi që mund të zgjidhë grindjet e këtushme etnike.

“Nëse Serbia dhe Shqipëria si dhe vendet e tjera hyjnë në BE, konfliktet e tyre territoriale do të zgjidhen në kuadër të BE-së. prandaj them se vetëm BE mund të stabilizojë Ballkanin”, është shprehur Kaplan.

Sipas tij, burim kryesor i jostabilitetit në Ballkan lidhen me ekonominë. “Në Ballkan nuk është krijuar klasa e mesme, ashtu siç ka qenë rasti në Perëndim. Në fakt ky ka qenë njëri nga shkaqet kryesore i luftërave në vitet e nëntëdhjeta”, ka thënë Kaplan.

I pyetur nga “Politika” pse mendon se Serbia është faktor destabiliteti, ai ka thënë se Serbia për shkak të madhësisë dhe të rëndësisë “gjithmonë ka qenë më problematikja”.

“Është dashur të gjendet zgjidhja për përshtatjen e saj me pjesën tjetër të Mbretërisë së Jugosllavisë, që ishte sfidë më vonë për Titon dhe elitën komuniste. Serbia mund të jetë faktor destabiliteti në Ballkan sepse ka interesa jashtë kufijve të saj, për shembull në Kosovë”, citojnë mediet serbe Kaplanin.

Se a e llogarit Serbinë në shtete pjesërisht të pasuksesshme, ai sqaron: “Po, e llogaris. Serbia është shtet gjysmë i dështuar ose shtet që nuk lëvizë, që vendnumëron…” është përgjigjur ai.

Ai ka sqaruar pse Serbinë e quan truall të ndikimit rus në Ballkan, që sipas tij është ndikim i keq.

“Rusia ka më shumë interes në Serbi se tjetërkund në Ballkan dhe gjatë historisë i ka mbështetur serbët. Çfarëdo që lexoj për rolin rus në Ballkan më flet për ndikim të dëmshëm. Moska është e përzier në krimin e organizuar, korruptimin e politikanëve nacionalistë e populistë dhe në financimin e medieve lokale. Sillet në stilin e fuqive të mëdha tradicionale me sloganin “përçaj e sundo” prandaj nuk do t’i zgjidhë konfliktet në Ballkan”, është shprehur Kaplan, transmeton Koha.net.

Ai konsideron se gjasat e Rusisë e të Turqisë që në Ballkan të plotësojnë boshllëkun që kanë lënë SHBA dhe BE, janë të pamjaftueshme për shkak të fuqisë së madhe ekonomike të Gjermanisë. “Gjithnjë deri sa Gjermani është fuqi dominuese në BE, interesi i saj ekonomik në Ballkan do të mbisundojë ndikimin rus ose turk”, ka thënë Kaplan.

I pyetur nëse mendon se popujt e Ballkanit nuk dinë të qeverisin vetveten, ai u përgjigj se nuk mendon se BE-ja “është perandori e domosdoshme” vetëm për Ballkanin, por për gjithë Europën, thuhet ndër të tjera në shkrimin, që sot e transmetojnë mediet e Beogradit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme