Kelmendi viziton Universitetin e Pejës, rektori i ankohet për mungesë buxheti

Prishtinë | 16 Mar 2017 | 17:11 | Nga

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, vizitoi Universitetin e Pejës, “Haxhi Zeka”, ku është pritur nga rektori i Universitetit, prof. dr. Fadil Millaku, dekani i Fakultetit të Biznesit, Halit Shabani, prorektori Ibish Mazreku dhe bashkëpunëtorë tjerë.

Fillimisht, zëvendëskryeministri Kelmendi ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Universitetit “Haxhi Zeka”. Ai i ka inkurajuar të rinjtë që të merren me biznes, duke theksuar se biznesi nuk është tabu që nuk mund të përfitohet.
Zëvendëskryeministri Kelmendi, po ashtu ka ftuar studentët që të marrin pjesë në Fondin për Garantimin e Kredive, sidomos ata studentë që kanë afinitet të afaristit.

Ndërkaq, gjatë takimit me rektorin, u bisedua për infrastrukturën e këtij universiteti, ku u kërkua që të ndihmohet rreth organizimit dhe funksionimit të tij të plotë.

Rektori, prof. dr. Fadil Millaku, e ka njoftuar zëvendëskryeministrin Kelmendi me punën që po bëhet në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj.
“Gjëja më e mirë që është bërë për Pejën është hapja e këtij Universiteti, për arsye se kjo ndikon direkt në ngritjen ekonomike të Komunës. Ne në Universitet kemi studentë të shkëlqyeshëm të cilët sot lirisht mund të jenë konkurrentë me studentë të shteteve të botës”, tha rektori Millaku.

Po ashtu, rektori Millaku ka ngritur si shqetësim edhe çështjen e buxhetit që ka Universiteti. Në këtë drejtim ai kërkoi përkrahjen e Qeverisë në ndërtimin e Fakultetit të Arteve. “Me buxhetin që e ka Universiteti, nuk mund të ndërtojmë një fakultet që kushton 3.5 milionë euro. Andaj pa përkrahjen e Qeverisë nuk do të mund të arrijmë ndërtimin e tij, i cili është i domosdoshëm për studentët tanë”, tha rektori Millaku.

Zëvendëskryeministri Kelmendi, tha se këtë kërkesë do ta diskutoj bashkë me ministrin e Financave dhe atë të Arsimit, për t’i parë mundësitë e investimeve në ndërtimin e këtij fakulteti.

Zëvendëskryeministri Kelmendi ka vizituar edhe Kompaninë e pijeve “Bibita” SH.P.K, të drejtuar nga pronari Labinot Gruda.
Gjatë takimit, zëvendëskryeministri Kelmendi ka uruar pronarin e kompanisë për suksesin që ka arrit në panairin ndërkombëtar të Dubait, kompani kjo e cila mori dy shpërblime, për pijen më të mirë dhe dizajnin më të mirë, në mesin e 5 mijë pjesëmarrësve nga 120 shtete të botës.

“Kjo tregon që bizneset tona janë të gatshme dhe të afta që të fitojnë shpërblime ndërkombëtare për kualitet dhe cilësi. Kjo po ashtu tregon që ne kemi afaristë të zotë të cilët kanë nevojë për mbështetjen tonë. Jemi në përfundim e sipër të pakos fiskale 2 e cila është një rilindje ekonomike për gjithë biznesin, e në veçanti për sektorin prodhues, sepse mundëson që të jenë më të lirë në tregun vendor dhe të jenë konkurrent në raport me shtetet e rajonit për të njëjtat produkte”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.
Labinot Gruda, pronar i kompanisë “Bibita”, beson se reformat fiskale do ta lehtësojnë edhe më tepër punën e prodhuesve vendor drejt sukseseve të reja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme