Kërcënohet dhe fyhet gazetari i Kallxo.com

Gjilan | 11 Nën 2017 | 17:34 | Nga

Gazetari i KALLXO.com, Taulant Osmani, është kërcënuar sot teksa po ndiqte një protestë të shoqërisë civile në Gjilan.

Taulant Osmani, gazetari i KALLXO.com është kërcënuar, fyer dhe tentuar të sulmohet nga disa persona, teksa po ndiqte protestën e shoqërisë civile në Gjilan kundër zhvendosjes së shtatores së Luftës Nacional- Çlirimtare “Ushtarët e Ramë”.

Zhvendosja e kësaj shtatoreje dhe vendosja në vendin e saj e shtatores së luftëtarit për pavarësi nga Perandoria Osmane Idriz Seferi ka shkaktuar polemika në Gjilan dhe ka ndarë në dy grupe banorët e këtij qyteti.

Gazetari Osmani tha se ishte duke e incizuar një debat mes personave që po protestonin kundër zhvendosjes dhe atyre që ishin pro saj, kur njëri nga të përfshirët në debat e kërcënoi pse po incizonte, ndërsa dy të tjerë tentuan ta sulmonin dhe t’ia merrnin telefonin.

“Unë si gazetar për të paraqitur atë se qytetarët janë të ndarë sa i përket kësaj problematike, filloj të incizoj debatin mes tyre, dhe personi në fjalë reagon ashpër, më vërsulet me fjalët pse po xhiron. Ne atë moment kanë ndërhyrë edhe dy persona të tjerë të cilët më kanë shtyrë e sharë, duke ma kapur telefonin”, tha gazetari Osmani.

Osmani tregoi se sikur të mos ndërhynin qytetarët tjerë të pranishëm, nuk e di se çfarë do t’i ndodhte.

“Nëse nuk kishin me reagu qytetarët për të hyrë ne mes, nuk e di çka kish me ndodhë”, tha Osmani.

Ai, kërcënimin dhe tentim-sulmin ndaj tij sot e ka paraqitur edhe në polici.

Nga janari deri në gjysmën e tetorit të këtij viti në Kosovë kanë ndodhur 23 raste që lidhen me sulmet dhe veprat tjera kundër gazetarëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme