Kërkohet mbështetja e deputetëve për programin Evropa Kreative të sektorit kulturor

Prishtinë | 20 Sht 2018 | 14:28 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në mbledhjen e radhës, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi shqyrtoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Pjesëmarrjen e Kosovës në programin Evropa Kreative për Mbështetjen e Sektorëve Kulturorë dhe Kreativë.

Në emër të komisionit, kryetari Ismajl Kurteshi tha se në emër të komisionit rekomandon nënshkrimin e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe BE-së për këtë projektligj i cili, sipas tij, është i rëndësishëm dhe në dobi të qytetarëve të Kosovës.

“Pothuajse të gjitha ministritë e kanë shqyrtu dhe aprovu si të rëndësishëm këtë investim që nuk është shumë i madh për të qenë pjesë e një programi të rëndësishëm për kulturë dhe kreativitet të njerëzve dhe atyre krijuesve të Kosovës”, shtoi Kurteshi.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tregoi se kjo marrëveshje është aprovuar më 31 korrik 2018, raporton Ekonomia Online.

“Kjo marrëveshje është nënshkruar më 5 qershor 2018 dhe e njëjta është procesuar në qeveri dhe është aprovuar më 31 korrik 2018”, tregoi Gashi.

Ai bëri të ditur se ky program kontribuon në ruajtjen e diversitetit të kulturës dhe gjuhës në rritjen e ekonomisë së qëndrueshme.

“Programi kontribuon ruajtjen e diversitetit të kulturës dhe gjuhës në rritjen e ekonomisë së qëndrueshme në krijimin e mundësive të tjera të tregut dhe audiencës”, tha ai.

“Si rezultat, pjesëmarrja në këtë program do t’u mundësojë artistëve që të punojnë bashkë  që veprat e tyre t’i sjellin në dispozicion të mijërave qytetarëve”, tha ai.

“Do të ketë një ndikim në bashkëpunim që ka për qëllim rritjen e inovacionit dhe shkëmbimit të praktikave në mes vendeve të ndryshme”, tha Gashi.

Sipas Gashit, nga buxheti i Kosovës do të ndahen 35 mijë euro për të marrë pjesë në këtë program.

“Kostoja që buxheti i Kosovës do të paguajë për të marrë pjesë në këtë program do të jetë 35 mijë euro. Këtë shumë MKRS-ja e ka paraparë në buxhetin e saj, e njëjta do t’i procedohet Bashkimit Evropian sipas marrëveshjes dhe ju lus që këtë ratifikim të marrëveshjes t’ua rekomandoni Kuvendit për miratim”, tha Gashi.

Teuta Haxhiu tregoi përkrahjen e saj për këtë marrëveshje, raporton EO.

“Është me interes të jemi bashkë sot me ratifiku këtë marrëveshje dhe shkojmë në seancë të jashtëzakonshme që është pozitive dhe kontribut direkt i deputetëve në jetën e qytetarëve të Kosovës”, tha Haxhiu.

Valentina Rexhepi-Bunjaku kërkoi nga ministri përgjigje se çfarë roli mund të ketë UNMIK-u në këtë marrëveshje që, sipas saj, rezultonte që edhe UNMIK-u është i përfshirë në marrëveshje.

“Të gjitha marrëveshjet janë në interes të Republikës, por dua të di se ku është roli i UNMIK-ut në këtë marrëveshje dhe çfarë funksioni luan se është në kuadër të UNMIK-ut. Dua një sqarim përndryshe ne jemi pro këtyre marrëveshjeve, sepse është në interes të qytetarëve”, tha ajo.

Në përgjigjen  e tij, ministri Gashi tha se nuk ka fare përfshirje të UNMIK-ut në këtë marrëveshje.

“Marrëveshja është nënshkruar në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Nënshkrimi i saj nga pala e Kosovës është si shtet dhe nuk kemi involvim të UNMIK-ut. Ne marrëveshjen e kemi përpara dhe mund të shihet që nuk është e involvuar fare nga UNMIK-u”, tha ai.

“E kemi trajtu me vëmendje kemi pasë të involvuar të gjithë akterët në këtë proces dhe për herë të parë dëgjoj që UNMIK-u ka të bëjë diçka me këtë çështje. Ne e kemi nënshkruar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe UNMIK-u nuk ka të bëjë asgjë me këtë marrëveshje”, shtoi Gashi.

Kurteshi në lidhje me pyetjen e Bunjakut tha se shpreson që ministrat dhe qeveria e Kosovës nuk nënshkruajnë marrëveshje të tilla në të cilën Kosova nuk prezantohet si shtet, por involvohet dikush tjetër.

Të ngjashme