Komisioni e dërgon në Kuvend Ligjin për kontrollin e kufirit

Prishtinë | 10 Mar 2017 | 11:58 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, me shumicë votash ka aprovuar dhe e ka proceduar për në seancë shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror.

Refki Morina nga Ministria e Punëve të Brendshme, tha se ndryshimet vijnë në bazë të specifikave të shtetit tonë dhe këto ndryshime prekin vetëm dhjetë nene të këtij projektligji.

“Ky projektligj është i rëndësishëm për policinë kufitare për punën e tyre në pikat kufitare por edhe jashtë pikave kufitare për arsye se në mënyrë decidive rregullon çështjet e tërësishme e lëvizjes së të huajve, kontrollin e tyre, kontrollin kufitar, vendosjen e vulave, databazave në pikat kufitare që këto të jenë me rregullat e shëngenit”, ka thënë ai.

Anëtari i këtij komisioni nga radhët e Vetëvendosjes Rexhep Selimi, ka thënë se nuk është bërë ndonjë amandamentim i veçantë për shkak se çdo lloj amandamentimi do ta prekte strukturën e ligjit.

“Ne pothuajse nuk kemi pasur ndonjë punë, ndonjë ngarkesë të veçantë për shkak se ndryshimet të kërkuara nga sponsorizuesi tashmë në këtë rast nga përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë qenë ndryshimet si pasojë e detyrimeve që ka MPB-ja, dhe shteti i Kosovës në rrugën e tij drejt integrimeve prandaj edhe nuk ka pasur ndonjë punë ndoshta kësaj radhe edhe nuk është bërë një amandamentim i veçantë për shkak se çdo lloj amandamentimi do ta prekte strukturën e ligjit si strukturë të cilën pothuajse të njëjtit deputet në mandatin e kaluar e kemi aprovuar”, ka thënë ai.

Ndërsa anëtari tjetër Nuredin Ibishi, kërkoi të dijë nga përfaqësuesi i MPB-së, se a kanë pasur probleme deri më tash aspektin e vazhdimit të përdorimit të dualizmit në menaxhimin e integruar të kufirit.

“A keni problem në aspektin e vazhdimit të përdorimit të dualizmit në menaxhimin e integruar të kufirit ku kufiri shtetëror nga njëra anë nga an jonë në legjislaturën tonë njihet si kufiri shtetëror ndërsa nga ana e Serbisë si kufi administrativ , do të thotë në këtë aspekt a keni tash kur është në zbatim ato pikat kufitare në Merdar tash sistemi i integruar i kufirit, kur do të bëhet një kontroll”,ka thënë ai.

Përgjigja e Refki Morinës, ishte që këta të fundit e zbatojnë legjislaturën e shtetit dhe se nuk pasur probleme.

“Sa i përket pyetjes së deputetit Ibishi se a do të krijohet dualizëm me Serbinë ne i kemi ligjet tona , rregullativën tonë, ne nuk kemi parë ndonjë problem, ne e zbatojmë legjislaturën tonë , fort nuk ka intereson për dualizëm të Serbisë ne e kemi legjislaturën tonë konform rregullativës së Bashkësisë Evropiane, prandaj deri tash nuk kemi pasur ndonjë problem. Mirë funksionojnë takimet e vazhdueshme për menaxhim të integruar të kufirit , tani Bashkësia Evropiane për pikë kalimet kufitare vetëm ka dhënë urdhër që të modifikohet, të rregullohet në bazë të marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës , por edhe pikat tjera kufitare që është marrëveshja në Bruksel do të rregullohen konform rregullativës së Bashkësisë Evropiane dhe kursimet dhe të gjitha ato do të jenë donacion nga Bashkësia Evropiane”, ka thënë ai.

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë mbledhjes së sotme i ka rekomanduar policisë si dhe forcave të sigurisë që t`i kontrollojnë pjesëtarët e tyre që të mos japin komente në rrjete sociale për zhvillimet politike.

Zëvendëskryetarja e parë e Komisionit, Ganimete Musliu ka theksuar se pjesëtarët e policisë dhe të Forcës së Sigurisë duhet të përmbahen nga deklaratat politike në rrjetet sociale.

“Ne si Komision mund t’i rekomandojmë institucioneve të sigurisë që të iu rekomandojnë ose të nxjerrin akte normative-juridike të cilat ftojnë ose thjesht kërkojnë nga pjesëtarët e Policisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës që të përmbahen nga deklaratat politike në rrjetet sociale sepse ata tashmë nuk e përfaqësojnë vetveten por përfaqësojnë institucionet në të cilat punojnë. Ne do të jemi maksimalisht të kujdesshëm që të interferojmë politikisht në punën e tyre , prandaj edhe ata duhet të jenë të kujdesshëm ndaj institucionit që e përfaqësojnë uniformat që bartin”, ka thënë ajo.

Një gjë të tillë e ka thënë edhe anëtari. Rexhep Selimi, duke shtuar se që të dyja palët duhet ta respektojnë dhe ta sigurojnë paanshmërinë politike.

“Ne t’i drejtohemi institucioneve të autorizuara të sigurisë fokusuar të policia dhe Forca e Sigurisë së Kosovës që ta respektojë dhe ta sigurojë paanshmërinë politike të pjesëtarëve të këtyre institucioneve, normalisht duke respektuar të drejtat për bindjet e veta politike”, ka thënë ai.

Të ngjashme