Komisioni për Punë të Brendshme ka miratuar të gjitha projektligjet e parapara për sesionin pranveror

Prishtinë | 13 Qer 2018 | 11:27 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haxhi Shala, ka paraqitur raportin e planit të punës së këtij komisioni për sesionin pranveror 2018.

Sipas Shalës, komisioni ka mbajtur 12 mbledhje gjatë të cilave i ka miratuar të gjitha projektligjet e parapara, raporton Ekonomia Online.

“Plani i punës për janar-qershor është realizuar. Komisioni ka realizuar 12 mbledhje dhe janë miratuar të gjitha projektligjet e parapara. Në komision ka raportuar Flamur Sefaj 2 herë dhe Bejtush Gashi 1 herë. Është diskutuar për situatën e sigurisë në vend dhe është folur edhe për raportin e Progresit”.

“Komisioni ka bërë grup punues për mbikëqyrjen e punës së IPK-së. Çfarë ka mbetur pa u bërë është  formimi i grupit punues për shpenzimin e buxhetit të FSK-së. Ne do ta kemi shumë shpejt në komision ligjin për mbrojtjen e të dhënave”, tha ai.

Rexhep Selimi tha se mosrealizimi i disa pikave nuk është varur nga komisioni, raporton EO.

“Mosrealizimi i disa pikave nuk është varur nga ne. Ajo çfarë ka munguar është prej anës së sponzorizuesve të FSK-së, është një komunikim me ne për ligjin për forcat e armatosura, sepse nuk është ligj dosido, por është shumë i rëndësishëm”.

“Grupi punues për mbikëqyrjen e inspektoriatit të policisë ka bërë një punë të mirë, sepse ky institucion ka pasur probleme. Kemi ngelë mbrapa me mbikëqyrje të institucioneve të sigurisë”, tha ai.

Xhelal Sveçla kërkoi dinamizëm të shtuar të komisionit për të kryer disa nga punët që nuk janë kryer deri tash.

“Jam i vetëdijshëm që jemi ndër komisionet më aktive në vend, por meqenëse mbulojmë një fushë të rëndësishme, unë pajtohem që zgjidhja është dinamizimi më i madh i punës së komisionit. Ne kemi pasë ndërrimin e ministrave dhe ndërrimin e drejtorëve të policisë. Kërkoj që agjendën që e kemi me plan ta përmbushim. Disa nga punët që nuk janë kryer është vizita në aeroportin, pastaj është çështja e ligjit të forcave të armatosura”, tha ai.

Fatmir Xhelili tha se kanë qenë korrekt për detyrat që u janë dhënë nga komisioni.

“Institucioneve tona iu mungon mbikëqyrja, dhe besoj që puna që kemi bërë nga grupi jonë punues për mbikëqyrjen e inspektoriatit policor ka qenë e rëndësishme”.

“Do të fokusohemi te ligjet sekondare, sepse udhëzimet administrative duhet me qenë në përputhje me ligjin. Kisha propozu që mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës ta fillojmë me një grup punues, gjithashtu propozoj që grup punues të formohet edhe për shpenzimet e FSK-së”, tha ai.

Muharrem Nitaj tha se puna e komisionit nuk ka qenë shumë aktive, mirëpo kjo nuk është varur tërësisht nga komisioni.

“Kjo është një dëshmi që nuk mund të përpilohen planet në fillim të vitit, sepse pastaj ndryshohen. Unë nuk pajtohem që komisioni jonë ka qenë një nga komisionet më aktive. Unë mendoj që edhe grupin e punës që kemi mbikëqyrë inspektoriatin policor e kemi zgjatë shumë. Unë mendoj që ky plan duhet të shqyrtohet edhe një herë dhe të fusim edhe pika të tjera. Unë mendoj që kemi bashkëpunim të lodhur në komisionin për mbikëqyrjen e AKI-së”, tha ai.

Ai shtoi se qeveria nuk mban faj për mosmiratim të ligjeve, sepse deputetët kanë zgjedhur debatet dhe interpelancat.

“Mos u ankoni pse Kuvendi nuk po miraton ligje, sepse është zgjedhur të bëhet debat dhe interpelanca”, tha ai.

Ismet Beqiri tha se komisioni është reflektim i punës që po bëhet në Kuvend, raporton EO.

“Për ligjin e FSK-së është shumë e qartë që kjo nuk varet nga ne. Ka subjekte që nuk e dojnë shndërrimin e FSK-së në ushtri, mirëpo kjo do të ndodhë sepse fatbardhësisht kemi edhe mbështetjen e aletëve ndërkombëtarë. Ne deri tani nuk e kemi bllokuar pozitën e as ligjet, të paktën deri tani jo, çfarë ndodh në të ardhmen nuk dihet”, tha ai.

Të ngjashme