Kompanitë rajonale të Ujësjellësit nisin pagesën e borxhit prej mbi 1.5 milionë €

Prishtinë | 19 Sht 2018 | 14:17 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me kryeshefat Ekzekutivë të nëntë kompanive rajonale të ujësjellësve, për pagesën e taksës ujore, raporton Ekonomia Online.

Sipas këtyre marrëveshjeve, Kompanitë rajonale të Ujësjellësit (KRU) në aftat prej 5 vitesh do të paguajnë borxhin e vjetër 10 vjet që kanë ndaj MMPH-së prej 1.585.654.370 euro duke filluar nga ky muaj me 20 për qind, për të vazhduar edhe katër vite të tjera, me nga 20 për qind të pagesës.

Matoshi theksoi se qëllimi i këtyre Marrëveshjeve është programimi dhe shlyerja e borxhit të akumuluar prej vitit 2007 – 2017 nga këto kompani.

“Këto marrëveshje do të mundësojnë që qytetarët të gëzojnë një nga të drejtat elementare, atë të qasjes në ujë të pijshëm”.

Matoshi shtoi se si MMPH janë të interesuar që të gjithë ata që shfrytëzojnë burimet ujore të  përmbushin obligimet e tyre ligjore, por njëkohësisht janë për t’iu ndihmuar atyre që të zhvillojnë kapacitetet e tyre për shtrirje të rrjetit  dhe mirëmbajtjes.

“Andaj kjo marrëveshje në mënyrën siç është bërë nuk i dëmton këto kompani dhe njëkohësisht mundëson zbatimin e udhëzimit administrativ mbi taksen ujore që duhet të paguajnë KRU-të.

Matoshi deklaroi Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) nuk mund të pajisen me leje ujore nga MMPH-ja në rast të mos pagesës prej 20 për qind të borxhit në muajin shtator.

“Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) në rast të mos zbatimit të marrëveshjes me MMPH-në për kthimin e borxhit, mund tu merret Leja Ujore dhe për pasojë edhe licenca e operimit nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit”.

Kryeshefi i KRU “Prishtina”, Ilir Abdullahu, ka thënë se është lajm i mirë fillimi i pagesës së taksës, derisa ka shtuar se mos pagimi i borxhit nuk do të përsëritet, raporton EO.

“Memorandumi ka obligime ligjore dhe ne do ta përkrahim, dhe ky borxh 10 vjeçar do ta kryejmë në këste prej 5 viteve. Besoj që s’do te kemi probleme, presim përkrahje nga ministria për çfarëdo problemi që kemi. Kompanitë janë duke performuar mirë. Besoj që qytetarët do të kenë shkërbim më të mirë”.

I pyetur pse përgjatë 10 vjetëve nuk është paguar ky borxh, Abdullahu është shprehur se kompanitë kanë qenë të fokusuara në investime.

“Pse nuk është paguar, ka pasur rrethana të tjera, ka pasur kompani që kanë qenë në mobilizim dhe investime të mëdha. Është mirë që kjo taksë do të paguhet dhe e kaluara nuk do të përsëritet. Në si kompani e Prishtinës e kemi borxhin rreth gjysmë milioni”.

Kompanitë me të cilat sot u nënshkruan memorandumet janë: Prishtina, Ibër Lepenci, Bifurkacioni, Hidromorava, Radoniqi- Gjakova, Hidroregjioni Jugor, Hidrodrini.

Të ngjashme