Ramiz Lladrovci premton të heqë taksën për leje operimi

Drenas | 12 Tet 2017 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Drenasit, kandidat edhe për një mandat, Ramiz Lladrovci, ka takuar sot, pronarët dhe përfaqësuesit e bizneseve të komunës së Drenasit, ku diskutoi për ecurit e zhvillimit ekonomik, puna 8 mujore si dhe planet për mandatin e ardhshëm, në veçanti për zhvillimin ekonomik.

“Zotohem se taksën e Lejes së operimit, ndër mbledhjet e para do ta heq, me ndihmën e asamblistëve të PDK-së që do ta kemi shumicën pa dilemë, duke qenë motiv dhe kursim për ushtrimin e veprimtarisë dhe përkrahje nga komuna”, theksoi Z. Lladrovci, në fillim të takimit.

Po ashtu, Lladrovci diskutoi rreth shpronësimit dhe procedurave te zona e Parkut të ri të biznesit dhe ndërtimit të stadiumit olimpik, premtime për investimet kapitale nga niveli qendror dhe të gjitha premtimet e realizuara nga Kadri Veseli për Drenasin dhe qytetarët e saj, duke u zotuar se investimet kapitale do të ndryshojnë një herë e përgjithmonë çështjet infrastrukturore dhe kushtet tjera që jetën e qytetarit në Drenas e bëjnë të dinjitetshme dhe të lakmueshme për të gjithë.

Lladrovci, theksoi se falënderon stafin e komunës për disiplinën në dikasteret ku qytetarit i ofrohen shërbime të drejtpërdrejta, si administrata, arsimi, shëndetësia, mirëmenaxhimi i subvencioneve, donacionet. Po ashtu theksoi se vizitat jashtë shtetit dhe partneritetet me shtetet e huaja për të mirën e Drenasit dhe qytetarëve të saj.

“Zhvillimi ekonomik, mirëqenia e qytetarëve dhe ngritja e cilësisë së jetës së qytetarëve janë synimet tona, synimet e PDK-së dhe Forcës së Ndryshimit”, theksoi kryetari Lladrovci duke shtuar se të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe zbatimi i ligjit është pika e fortë e qeverisjes në Drenas.

Lladrovci demantoi thashethemet se në Drenas po ngulfatet biznesi, duke e quajtur propagandë e fushatë e ultë që dëmton vet bizneset e Drenasit.

“Kam deklaruar dhe ritheksoj se bizneset të cilat, para mandatit tim kanë ekzistuar dhe zhvilluar veprimtari, nuk do të ndërmerret asnjë veprim që dëmton punën e tyre. Sepse, ne nuk jemi të motivuar mbylljen e bizneseve por shtimin e tyre. Ne ofrojmë kushte dhe ofrojmë shërbime që përkrahin dhe ndihmojnë biznesin, jo vetëm këto ekzistuese, por edhe bizneset që do të vijnë në Parkun e ri të biznesit”, theksoi Lladrovci, por shtoi se kushdo që ka pasur ndalesa për ndërtim dhe ka paralajmërime zyrtare të mos ndërtoj në pronë të uzurpuar, do të zbatohet ligji.

Lajm i mirë për bizneset, theksoi Lladrovci, është edhe donacioni për trafostacionin e ri, me vlerë 7.4 milion euro, që do të jetë gati në gushtin e vitit të ardhshëm dhe bizneset nuk do të pësojnë më dëmtime të veprimtarisë as pengesa me pasoja për të operuar në Drenas. Trafoja e re do të furnizoj Parkun e biznesit me rrymë por do të heq edhe vështirësitë e furnizimit me rrymë edhe për ekonomitë familjare.

Kursimet e buxhetit për mallra dhe shërbime, mbledhja e tatimeve dhe detyrimeve ndaj komunës, realizimi i tenderëve duke i përfunduar më 7 shtator të gjitha, puna me standarde në investimet kapitale, realizimi i të gjitha premtimeve duke i tejkaluar ato, ishin disa nga pikat e diskutimit, duke kërkuar mbështetje nga bizneset, do të kenë përkrahje të pa rezervë nga komuna dhe administrata komunale, duke lehtësuar dhe duke subvencionuar me mundësitë që ofron komuna.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme