Siguri stabile vlerësohet në Ferizaj

Prishtinë | 31 Gus 2016 | 10:51 | Nga

Këshilli komunal për siguri në bashkësi i Ferizajt, konstatoi sot se përkundër disa ngjarjeve të pakëndshme të kohëve të fundit, midis të cilave edhe një vrasje, siguria në komunën e Ferizajt vazhdon të jetë stabile.

Këtë e konstatuan nënkryetari Xhavit Zariqi dhe komandanti i policisë së Ferizajt Qazim Reka.

Komandant Reka tha se incidentet kanë qenë të izoluara, ndërsa të dyshuarit e përfshirë në to, janë sjellë para drejtësisë. Ai konstatoi se vala e bashkatdhetarëve që kishin ardhur për pushime gjatë korrikut dhe gushtit, e kishin trefishuar ngarkesën e trafikut, porse e tëra ka kaluar pa probleme të mëdha.

Lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor, drejtori komunal i arsimit, Muhamet Halili, njoftoi se janë bërë përgatitjet higjienike e teknike, shumica e shkollave janë furnizuar me lëndë djegëse dhe janë kompletuar me staf profesional.

Drejtori i arsimit konstatoi se sivjet ka pasur ulje të dukshme të numrit të nxënësve, duke shkaktuar uljen e numrit të paraleleve. Si pasojë, në mësimin lëndor sivjet janë 616 orë më pak, ose humbja e 31 normave të arsimtarëve, kurse në mësimin klasor, katër mësues kanë mbetur pa klasë.

Por, arsimtarët nuk kanë mbetur pa punë, pasi atyre u është dhënë një numër orësh duke bërë riorganizimin e shpërndarjes së normave. Vitin e ri shkollor 2016-2017, sipas Drejtorisë së Arsimit sivjet e fillojnë 25 322 nxënës dhe 1 814 punëtorë arsimi, në gjithsej 62 objekte shkollore.

Drejtori Halili bëri të ditur edhe për investime të rëndësishme që janë bërë sivjet në renovimin e njëmbëdhjetë shkollave, apo pjesëve të tyre.

KKSB bisedoi edhe për sigurinë e nxënësve, për rezultatet e garave të tyre dhe për çështje të tjera në interes të sigurisë së përgjithshme dhe mbarëvajtjes së vitit shkollor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme