Kosova e përgatitur me legjislacion për mbrojtjen e pronësisë intelektuale

Prishtinë | 26 Pri 2017 | 10:54 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me moton “Inovacioni përmirëson jetën “, edhe në Kosovë është shënuar Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale. Shënimi i kësaj ditë është bërë në një konferencë të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në mbështetje të Zyrë së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami tha se markat tregtare janë premtimi që prodhuesi i bënë konsumatorit. Ajo shtoi se keqpërdorimi i tyre “do të thotë degradim i markave tregtare”, raporton Ekonomia Online.

“Përdorimi i paautorizuar i markës tregtare janë preokupim i shumë vendeve të botës dhe janë edhe preokupim i joni. MTI-ja përmes Agjencisë për Pronësi Industriale është e përkushtuar që të krijojë një ambient më të mirë për konsumatorin tonë. Markat tregtare dhe patentat industriale, pjesa për të cilën ne jemi përgjegjës si MTI, faktikisht janë premtimi që prodhuesi i bënë konsumatorit”, ka thënë ajo.

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, ka thënë se shënimi i ditës së pronësisë intelektuale e gjen Kosovën si një shtet të përgatitur me një legjislacion adekuat.

“Ne si shtet kemi shumë punë për të bërë por vlerësimet që po bëhen në këtë drejtim janë të mira. Kosova është në rrugë të mbarë që krijimet e njerëzve të shihen. Në rajon si republikë e re jemi në një gjendje shumë të mirë dhe mund të krenohemi në këtë drejt sepse kemi bërë shumë”, ka thënë ai.

Sipas tij shënimi i kësaj ditë do të thotë krenari për të gjithë ata që kanë punuar në këtë drejtim.

Libor Chlad zv.shef i Zyrës së BE-së tha se inovacioni duhet të mbrohet dhe kjo është arsyeja pse pronësia intelektuale është me rëndësi.

“Ju duhet ta dini se strategjia e pronësisë intelektuale e vitit 2011 siguron se tregu i pronësisë intelektuale funksion si duhet. Kemi bërë shumë punë por mbetet ende punë për të bërë. Autoritet qendrore duhet të luajnë rol në këtë. Dua të ritheksoj zotimin tim se ne do të ju mbështesim”, ka thënë ai.

Drejtori i zbatimit të ligjit në Doganën e Kosovës, Blerim Krasniqi ka thënë se fusha e së drejtës së pronësisë intelektuale është fushë e re. Roli i Doganës ka vazhduar të forcohet dita-ditës.

“Doganës si zbatues i ligjit i është dhënë rol edhe në sferën e mbrojtjes të së drejtës së pronësisë intelektuale. Roli më i madh deri tash që çmohet nga Dogana është ngritja e forcimit për bashkëpunim. Nga viti 2010 -2015 ne kemi ndaluar mallra 3.5 milionë copë në vlerë rreth 11 milionë euro”, ka thënë ai.

Ai ka inkurajuar të gjitha autoritetet që të vazhdojnë bashkëpunimin me Doganën.

Të ngjashme