Kosovarët më së shumti iu besojnë zjarrfikësve, FSK-së dhe policisë

Prishtinë | 21 Dhj 2016 | 17:15 | Nga

Qendra Kosovare për Studime Sigurisë (QKSS), për herë të gjashtë publikoi anketën e përvitshme – Barometri Kosovar i Sigurisë (BKS).

Sipas këtyre rezultateve del se institucionet e sigurisë vazhdojnë të jenë ato më të besueshmet, në raport me institucionet e drejtësisë, ekzekutivin apo Kuvendin e Kosovës.

Nga institucionet më të besuar gjatë këtij viti janë zjarrfikësit, FSK dhe Policia e Kosovës.

Sikurse në edicionet e mëparshme, edhe në këtë vit anketa e KSB e cila ishte zhvilluar në dy javët e para të Tetorit me një kampion prej 1,093 amvisërive nga të gjitha rajonet e Kosovës të përzgjedhura sipas metodës së rastit. Subjekte të anketimit kanë qenë personat e moshës mbi 18 vjeç, nga të gjitha përkatësit etnike e religjioze në Kosovë.

Edhe kësaj radhe të anketuarit janë pyetur në lidhje me besueshmërinë e tyre ndaj institucioneve të sigurisë e drejtësisë, kërcënim-rreziqet kryesore që i kanosen qytetarëve të Kosovës si dhe pyetje tjera të cilat do të shtjellohen në mënyrë më të detajuar në raportet speciale të radhës së KSB gjatë pjesës së parë të vitit 2017.

“Një ndër gjetjet kryesore është fakti se në këtë vit institucionet e sigurisë vazhdojnë të prijnë dukshëm sa i përket besueshmërisë në raport me institucionet e drejtësisë, ekzekutivin apo Kuvendin e Kosovës. Mirëpo befasia për këtë vit konsistoi në besimin e lartë për zjarrfikësit me 77 për qind e të anketuarve, pasuar nga Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) me 72 për qind dhe Policinë e Kosovës (PK) me 56 për qind. FSK e PK, pavarësisht që janë tejkaluar nga zjarrfikësit, kanë rezultuar rritje në përqindje të besueshmërisë”, thuhet në komunikatën e QKSS.

Në anën tjetër, besueshmëria e qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë vazhdon të jetë e ulët edhe në këtë vit. Rreth 51 për qind e të anketuarve deklaruan se nuk ju besojnë gjykatave e gjithashtu 46 për qind u deklaruan ngjashëm edhe ndaj prokurorisë. Ndërkohë 53 për qind e të anketuarve shfaqën mosbesim edhe ndaj EULEX-it.

Ajo që rezulton të jetë më shqetësuese sipas gjetjeve të këtij edicioni të KSB është niveli tejet i ultë i besueshmërisë se qytetarëve ndaj Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës. Rezultat e treguan që 67 për qind e të anketuarve nuk i besojnë Qeverisë ndërsa vetëm 13 për qind e atyre deklaruan se i besojnë asaj. Hiq më mirë nuk rezultoi të jetë as Kuvendi i Kosovës ku 66 për qind e të anketuarve deklaruan se nuk i besojnë Kuvendit të Kosovës krahas vetëm 12 për qind të atyre që deklaruan të kundërtën. Andaj, duke qenë se Qeveria dhe Kuvendi si dy nga institucionet më të rëndësishme në vend rezultojnë të jenë më së paku në vend, kjo njëherësh tregon krizën e legjitimitetit institucional që po mbretëron në Kosovë.

Gjetje tjera me rëndësi të dala nga edicioni i këtij viti i KSB janë edhe ato të cilat ndërlidhen me perceptimet e qytetarëve rreth kërcënimeve dhe rreziqet kryesore që i preokupojnë ata. Në këtë rast, rreth 94 për qind e të anketuarve deklaruan se papunësia paraqet rrezik serioz për sigurinë nacionale në vend, pasuar nga korrupsioni (93 për qind) dhe krimi i organizuar (me 90 për qind). Pra statusi jo i mirë socio-ekonomik i shumicës dërmuese të qytetarëve të Kosovës përcjellur nga pa-aftësia institucionale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar paraqesin brengën më të madhe që të anketuarit nënvizuan. Ndërkohë, megjithëse në një nivel pak sa më të ulët, qytetarët shprehën brenga sa i përket kërcënimeve që kanosin stabilitetin social-politik të Kosovës. Kështu, rreth 80 për qind e të anketuarve deklaruan se ndihen të rrezikuar edhe nga përplasjet politike që po ndodhin vitet e fundit në mes të partive në pushtet dhe atyre opozitare, rreth 72 për qind thanë që rrezik të tillë përbën edhe situata destabilizuese në veri të Kosovës, si dhe rreth 70 për qind po ashtu ceken përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm si rrezik të madh për sigurinë në vend.

Për fund, qytetarët shprehën shqetësime edhe për kërcënim-rreziqet e sigurisë nacionale që vijnë nga jashtë. Në këtë rast, 66 për qind ISIS priu si kërcënimi kryesor për Kosovën i kësaj natyrë, pasuar nga kriza ekonomike globale (me rreth 62 për qind); përhapja e viruseve të ndryshme (me rreth 61 për qind) dhe Serbia (me rreth 60 për qind). Për më tepër, në lidhje me gjetjet e Barometrit Kosovar të Sigurisë 2016, mund të gjeni botimin e plotë të publikuar në ueb faqen e QKSS, në seksionin e botimeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme