Kurti: Ndarja nga jeta e Fatos Arapit, humbje e madhe e letërsisë dhe kulturës shqiptare

Prishtinë | 11 Tet 2018 | 17:31 | Nga Ekonomia Online

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka lartësuar veprën shkrimtarit të njohur shqiptar Fatos Arapi, i cili ndërroi jetë sot në moshën 89 vjeçare.

Kurti ka thënë se është  njëri ndër poetët më kulmorë i gjuhës shqipe.

Ai ka shprehur ngushëllime për familjarët dhe për gjithë lexuesit e tij duke e konsideruar ndarjen nga jeta të tij si humbje e madhe për letërsinë dhe kulturën shqiptare:

”Me hidhërim dëgjova për lajmin e vdekjes së shkrimtarit, e veçanërisht poetit, Fatos Arapit. I lindur në 1929 në Zvërnecin e bregdetit vlonjat, ai u nda nga jeta sot, në moshën 89 vjeçare, si një ndër poetët kulmorë, për mendimin tim, të gjuhës shqipe. Formimi i tij prej matematicieni reflektohet në përkujdesjen për detajin estetik tek vargjet e tij, por edhe tek thellimi i mendimit dhe braktisja e figuracioneve të lehta e të euforisë.

Ngushëlloj familjen dhe lexuesit e tij për humbjen e madhe, që është humbje edhe për letërsinë e kulturën shqiptare.

Në vjershën “Tungjatjeta vetmia ime” ai shkruan:


Unë eca brenda vetes sime.
Atje, një shpresë e vogël, e hidhëruar, e fyer
Rrëzoi sy e qepallë në dhe:
As ti nuk ma dhe dorën te ngrihem
Kaq shumë kisha shpresuar…
Shpresa? Vetë shpresa shpresonte nga unë?!
Tani nuk kam më fuqi
As të trishtohem…

Pegasëve te mi nuk u lind çdo ditë
Nga një flatër nën sqetull…
Por unë e di:
Ka vetëm një varr për tiranët – liria!

Ndërsa te vjersha “Ti mos më lër vetëm” shkruan:

Unë jam parë sy – më – sy me jetën,
Unë jam ngrënë dhëmb – më – dhëmb me vdekjen.
Dhe jeta dhe vdekja ishin të egra
Ti mos më lër vetem.
Tiranët më njohën, në firomë u prenë
Më ndjenë që erdha, në zemër u zbehnë
E di: me ta do përleshem prapë nesër
Ti mos më lër vetëm
Liria ime është si jam vetë
I vdekur? – U ngrita: Sërish më thërrasin…
Prej meje kërkojnë dhe jetën dhe vdekjen
Ti mos më lër vetëm

Thirrja për t’ia dhënë dorën shpresës sonë të braktisur që qëndron brenda nesh, paracaktimi i lirisë si varr për tiranët, përcaktimi i lirisë që është si vetë vetja jonë, e thirrja për të mos e lënë vetëm njëri-tjetrin do të mund të ishin pjesë e një manifesti politik të kohës sonë, por ky nuk është momenti.

I paharruar, Fatos Arapi!”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme