Letrat e Thaçit mes nxitjes së Prokurorisë dhe kamuflazhit

Prishtinë | 12 Tet 2016 | 10:59 | Nga

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ditën e hënë, i dërgoi katër letra në drejtim të Prokurorisë për të kërkuar nga ata që të fillojnë hetimet rreth krimeve që janë kryer gjatë luftës dhe pas saj, sikurse edhe atentatin ndaj ish presidentit Ibrahim Rugova.

Kjo nismë e kreut të shtetit ndonëse është kritikuar ashpër nga zyrtarët opozitarë duke e quajtur si të vonuar dhe kamuflim për t’i fshehur të bëmat e tij, këndvështrime të ndryshme rreth kësaj, kanë edhe analistë të zhvillimeve politike në vend.

Përderisa analisti Nexhmedin Spahiu, e përkrah Presidentin Thaçi për këtë veprim, njohësi i po këtyre çështjeve Belul Beqaj, kërkesën për drejtësi nga Thaçi, e quan si vetëakuzë ndaj presidentit.

Spahiu në një prononcim për lajmi.net tha se ky veprim është një shtytje për Prokurorinë edhe Gjyqësinë që të merren me krimet e pasluftës.

“Në princip e përkrahë që presidenti duhet të ndërmarr hapat të cilat do ta inkurajojnë Prokurorinë edhe Gjyqësinë për dyshimin e krimeve të bëra para gjatë dhe pas luftës, mendoj që kjo është një iniciativë e mirë, pa marr parasysh motivet të cilat do ta kenë shtyrë presidentin ta bëjë”, tha Spahiu.

Ai vlerëson se Presidenti do të duhet të kërkojë llogari nga Prokuroria e Gjyqësia, si dhe nga institucionet e tjera të pavarura, duke kërkuar nga Këshilli gjyqësorë i Kosovës bërjen publike të performancës së tyre.

“Kjo është një ide e qëlluar që të nxitet Prokuroria dhe Gjyqësia, dhe unë mendoj që Presidenti nuk duhet të ndalet vetëm në këtë”, ka shtuar Spahiu ndër tjerash.

Por krejtësisht mendim ndryshe ka analisti politik Behlul Beqaj. Ai dërgimin e letrave të Presidentit Thaçi drejtuar Prokurorisë Speciale, e sheh vetëm si një paraqitje të Thaçit ku ai siç thotë Beqaj, ai dëshiron të duket si një meteor.

“Thaçi dëshiron të paraqitet si meteor që do të funksionalizojë drejtësinë duke harruar se ai ka qenë në krye të politikës me kompetenca ekzekutive dy mandate. Prandaj kërkesa për drejtësi në fakt është vet akuzë për atë që se ka bërë vet kur e ka pasur pushtetin dhe fuqinë më të madhe”, thotë Beqaj për lajmi.net.

Për më tepër, Beqaj thotë se nuk duhet kontestuar kërkesa, por sipas tij, duhet kontestuar ana morale dhe politike e atij që e ka bërë këtë tash, e se ka bërë kur ka pasur pushtet ekzekutiv më shumë se që ka tash.

Duke folur për rezultatin që mund të ketë kjo iniciativë, Beqaj thotë se nuk janë në pyetje vetëm krimet e Serbisë por edhe të individëve të caktuar në Kosovë dhe se me këtë sipas tij, Thaçi i ka aktualizuar disa ngjarje, për t’i bërë veprimet e tij më konfidenciale.

Edhe pse ai beson se kjo nuk mund të ndodhë ngase zbardhja e ngjarjeve nuk varet vetëm nga prokuroria shtetit të Kosovës.

“Çështje tjetër është, vlerësimi ndërkombëtarëve se cilat pasoja mund të shkaktohen nëse Thaçi bëhet objekt I trajtimit të drejtësisë. Mendoj se Thaci edhe pas dëshmisë së fundit të ish Guvernatorit të BQK-së, e ka zhveshur “mitin” e udhëheqësit të luftës,prandaj do të jetë shumë më lehtë të ndërmerren veprimet që nuk janë ndërmarrë deri më tashti”, ka përfunduar Beqaj për këtë çështje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme