TI: Luftimi i korrupsionit po dështon në vendet e Ballkanit

Prishtinë | 10 Nën 2016 | 12:14 | Nga

Lufta kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi është duke dështuar, duke rrezikuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Elitat politike kanë shumë fuqi dhe ka pak mënyra për të kërkuar llogari nga të korruptuarit, vlerëson Transparency International- lëvizje globale kundër korrupsionit, në të cilën Instituti Demokratik i Kosovës është anëtar për Kosovë.

Raporti i ri i Transparency International, “Luftimi i Korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi: Prioritetet për Reforma” krahason të gjeturat nga shtatë vlerësime të Sistemit të Integritetit Kombëtar të zbatuara nga degët e Transparency International në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Turqi. Studimi shikon se sa të afta janë institucionet në këto vende për të luftuar korrupsionin.

Nivelet e korrupsionit dhe qeverisja e dobët në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi minojnë stabilitetin në një rajon të brishtë që vetëm është në një gjendje të pasigurtë, në kufi të një rajoni të përfshirë në luftë, thuhet në raport.

Transparency International vlerëson se Bashkimi Evropian duhet të sigurohet që është i rreptë në negociatat e anëtarësimit lidhur me drejtësinë dhe të drejtat themelore dhe liritë, siç janë përcaktuar në kapitujt 23 dhe 24 të procesit të aderimit në BE.

Edhe pse shumë nga vendet në studim kanë marrë hapa të rëndësishëm drejt zhvillimit dhe fuqizimit të sistemeve të tyre kundër korrupsionit, progresi ka qenë i ngadalshëm dhe shpeshherë vetëm në letër. Janë miratuar ligje por ato nuk janë zbatuar. Pavarësia e mediave dhe shoqërisë civile është gjithashtu e kërcënuar.

Raporti konstaton se partitë politike janë strukturat me transparencën më të ulët. Ato mbajnë fuqinë kryesore por rrallë sanksionohen për veprimet korruptive. Kjo ka pasur një ndikim të fuqishëm mbi shtyllat tjera të Sistemit të Integritetit Kombëtar. Shkeljet e rregulloreve të zgjedhjeve dhe fushatave gati asnjëherë nuk sanksionohen dhe ata që janë të pasur mund të ndikojnë në zgjedhje.

Sa i përket Kosovës, raporti cek se problem mbetet mbivendosja institucionale në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit, gjë që shkakton huti te qytetarët. Një vërejtje tjetër e theksuar është numri i ulët i dënimeve për korrupsion.

“Në Kosovë, korrupsioni vlerësohet si një prej problemeve më të mëdha karshi ekonomisë së dobët dhe papunësisë. Kjo vjen si pasojë e performancës të kufizuar të sistemit të gjyqësisë për ta luftuar atë. Këtë më së lehti mund t’a vërtetojmë duke iu referuar mungesës së rezultateve konkrete nga prokuroria dhe gjyqësori”, ka thënë Visar Sutaj nga KDI gjatë lansimit të raportit në Bruksel.

Raporti gjithashtu renditë arritjet, sikurse reformat në gjyqësi që ju lejon Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës diskrecion në hartimin dhe propozimin e buxheteve të tyre në Kuvendin e Kosovës, dhe thekson me një notë pozitive pavarësinë institucionale të policisë që është relativisht e fuqishme në krahasim me vendet tjera që janë fokus i studimit.

Raporti i ka rekomandimet kyçe në vijim:

Të zvogëlohet ndikimi i ekzekutivit mbi gjyqësorin dhe prokurorinë, duke siguruar sisteme transparente dhe më objektive për emërimin, transferimin dhe largimin nga puna të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Të hetohen pa vonesa të gjitha pretendimet për kërcënime dhe dhunë ndaj përfaqësuesve të medias dhe të shoqërisë civile dhe të zbatohen dënime të rrepta kur provohet se këto pretendime janë të bazuara.
Të zhvillohet një mbikëqyrje më e fuqishme dhe më e koordinuar e partive politike dhe financave gjatë fushatave dhe për aktivitete, dhe të sigurohet që shkelja e rregulloreve të zgjedhjeve dhe të fushatave të ndëshkohet në mënyrë konsistente.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme