Luzha: Thaçi provokoi faktorin ndërkombëtar për Ushtrinë

Prishtinë | 10 Pri 2017 | 13:26 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Iniciativa e presidentit të vendit, Hashim Thaçi për krijimin e ushtrisë është e qëlluar, por e ngutshme. Presidenti i ka ditur procedurat, por që qëllimi i tij ishte që të provokonte faktorin ndërkombëtarë për të përshpejtuar formimin e ushtrisë.

Kështu ka deklaruar, Besa Luzha aktiviste e shoqërisë civile për Agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

“Unë mendoj se iniciativa për të formuar ushtrinë është gjithsesi e mirëseardhur, edhe ka qenë në plan, ka qenë e paraparë, por po më duket që presidenti është ngutur kur e ka marrë hapin, më shumë ndoshta për ndonjë publicitet, sepse e ka ditë shumë mirë se nuk mundet me shku me atë procedurë, por ndoshta ka dashtë pak edhe me i provokuar edhe bashkësinë ndërkombëtare për t’i shpejtuar procedurat e tjera”, ka thënë Luzha.

Drejtoresha e Fondacionit Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) për Kosovë ka thënë se liderët nuk duhet të shohin fuqinë për të arritur një proces, i cili kërkon edhe përkrahjen e miqve ndërkombëtarë.

“ Në këtë situatë të cilën jemi nuk është me rëndësi se kush është më i forti, kush është më i zoti, por që vërtetë t’i bëjmë ata hapat e duhur që duhet për me mujt që procesi i bërjes së ushtrisë të jetë me përkrahësit edhe i rregullt, që të mos ketë pastaj refuzim, mos pajtim të asnjë forme të ushtrisë së re të Kosovës që do të formohet në fund të këtij procesi”, ka deklaruar Luzha.

Sa i përket çështjes së dorëheqjes së presidentit Thaçi për mos bërjen e ushtrisë ashtu siç pati deklaruar edhe vet Thaçi, Luzha e she të pamundur. Sipas saj dorëheqja e liderëve dhe politikanëve në Kosovë është e paimagjinueshme.

“Unë mendoj që dorëheqja është diçka e paimagjinueshme për çdo politikan, nuk e di nëse ndonjë politikan ka dhënë dorëheqje. Më kujtohet vetëm z. Fatmir Rexhepi, ish-ministër i Punëve të Brendshme edhe pse nuk ka qenë i involvuar direkt në një situatë në aspektin moral ka dhënë dorëheqje. Ne nuk jemi mësuar që udhëheqësit, politikanët të japin dorëheqje për veprimet apo mos veprimet e tyre. Kështu që nuk pres që do të ndodhë diçka e tillë”, ka shtuar Luzha.

Ditë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka tërhequr  zyrtarisht nismën e tij ligjore për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision të ri ushtarak. Ai i ka dërguar letër kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nga i cili ka kërkuar që Projektligji i propozuar për transformimin e FSK-së të mos vendoset për miratim në Kuvend.

Të ngjashme