Marsh kundër vrasjes në Gjakovë, kërkohet përgjegjësi për ata që s’ofruan mbrojtje

Gjakovë | 10 Gus 2018 | 12:38 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në marshin protestues në Gjakovë, të organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës, është kërkuar përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse për vrasjen e 40-vjeçares Valbona Marku-Nrecaj dhe vajzën së saj 9 vjeçe, nga kryefamiljari. Vrasja që tronditi opinionin ndodhi të martën në fshatin Brekoc të komunës së Gjakovës.

Protestuesit, shumica gra, mbanin pankarta në duar me mbishkrimin “Reagoni me kohë”, duke kërkuar përgjegjësi edhe për ata që nuk ofruan mbrojtje. Ata akuzuan organet e rendit se kanë dështuar të ofrojnë mbrojtje, megjithëse gruaja e kishte paralajmëruar policinë se po kërcënuar nga ish-bashkëshorti.

Pjesëmarrës në këtë marsh kanë qenë familjarë si dhe fëmijët e viktimës.

Shkelzen Marku, vëllai i viktimës Valbona Marku-Nrecaj, ka fajësuar shtetin për mosmbrojtjen e motrës së tij nga bashkëshorti Pjetër Nrecaj. Ai tha se do të kërkojnë ndihmë nga Shqipëria, shtetase e të cilës ishte Valbona.

“Pikërisht atë ditë, personalisht kam kërkuar mbrojtje për motrën, kam qenë në Polici katër orë. Reagimi i tyre ka qenë zero. Kanë thënë se nuk kemi prova të mjaftueshme. Kam paralajmëruar se personi i dyshuar për vrasje ka armë në makinë dhe se asnjëherë nuk ka udhëtuar pa kallashnikov. Ky është shteti që kemi”, ka thënë Marku.

Ndaj vrasjes së nënës dhe bijës, gjatë marshit protestues në Gjakovë ka reaguar edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo ka thënë se gratë në Kosovë, përveç që nuk janë të sigurta në punë dhe shkollë, tash s’kanë siguri as në familjet e tyre.

“Pjeter Nrecaj iu shtua vrasësve që në mungesë të reagimit me kohë të organeve mbrojtëse nuk hezitoi ta përdorë dhunën që sistematikisht e vazhdoi. Kriminaliteti mundësohet nga një sistem i tërë me rrënjë në pabarazi, i paaftë për të adresuar shqetësimet dhe paralajmërimet e shumta për dhunën që u nënshtrohen në mënyrë të vazhdueshme”, u shpreh Jahjaga.

“Valbona e vajza e saj u bënë pjesë e numrit alarmant që u vë mizorisht nga burrat, që thirrjet e tyre përfunduan në vesh të shurdhër. Gratë në Kosovë s’janë të sigurta në punë, rrugë, shkollë, e tashme as në familje”.

“Kjo nuk është çështje private por shkelje e të drejtave njerëzore, vepër penale që meriton ndëshkim, andaj obligim i yni është të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar këtë fenomen”, theksoi ish-presidentja.

“Si është e mundur që shumica e këtyre rasteve janë të paralajmëruara në polici? Si është e mundur që burrat që dhunojnë gratë edhe pas raportimit në të shumtën e rasteve ecin në liri? Edhe sa thirrje të humbura duhet t’i kemi, edhe sa jetë duhet të shuhen që të japim përgjegjësi për këto krime? Ku mbeti betimi i policëve, gjyqtarëve e prokurorëve”.

Në krye të protestuesve ishte dhe deputetja Mimoza Kusari-Lila, ish-kryetare e Gjakovës. “Valbona kërkoi ndihmë për vete dhe fëmijët, ndërsa ajo s’iu ofrua në një vend me shtet të korruptuar. Viktima janë më të dobëtit, vajzat, gratë e fëmijët. Zëri i saj do kumbojë shumë më fuqishëm sepse ata indirekt e lanë krimin të ndodhë. S’duhet të shkojë kjo vrasje pa pasoja, duhet t’i vihet emër e mbiemër”.

“Pse Pjetri ishte i lirë, nuk u parandalua, pse hasim në zyrtarë që zgërdhihen? Ngritja e duarve nuk është rast që duhet të shënohet e të bëhet pjesë e traditës. Jo, as kafshët nuk duhet të rrihen, e lëre më njerëzit”.

“Kjo gjë duhet ndalur se u varros një vajzë e nënë, e ju të vazhdoni të zgërdhiheni, kjo është gjëja më e rëndë që mund të ndodhë. Kemi ligj që në mënyrë të mirëfilltë tregon se si të ndalen këto raste. Mungon vullneti, ka dhunë, e ajo po merr jetë. Boll më se dhuna s’mund të marrë jetë e të prish familje e të varrosë fëmijë e vajza nga ata qe i krijuan”, theksoi Kusari-Lila.

Në mesin e protestuesve ishin dhe fëmijët e së ndjerës. Në mesin e pankartave është edhe ajo që e mban i biri i viktimës në dorë më mbishkrimin “Të dua nënë”.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm vitin e kaluar janë shënuar 962 raste të dhunës në familje, ku viktima kanë qenë kryesisht gratë.

Më një konferencë për medie më herët gjatë ditës, zyrtarë të Policisë së Kosovës thanë se “në ditën kritike, viktima nuk ka kërkuar urdhër mbrojtje”

Drejtori i Policisë Rajonale të Gjakovës, Ahmet Hasi, tha se në ditën kritike viktima vetëm ka njoftuar se është kërcënuar me anë të një mesazhi në telefon nga ish-bashkëshorti.

Të premten, Gjykata Themelore në Gjakovë i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit Pjetër Nrecaj, i dyshuar për vrasjen e dyfishtë në Gjakovë.

Ndërkohë, me kërkesë të kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar hetimet ndaj policëve për të parë nëse ka pasur lëshime në rastin e vrasjes që ka ndodhur ditën e martë kur një burrë vrau gruan dhe vajzën e tij.

Image may contain: 19 people, people standing

Image may contain: 1 person, walking, crowd and outdoor

Image may contain: one or more people, crowd and outdoor

Image may contain: 2 people, crowd, shoes and outdoor

Image may contain: 4 people, people standing, shoes, crowd and outdoor

Image may contain: 3 people, people standing and outdoor

Image may contain: 4 people, crowd and outdoor

Të ngjashme