Me Agim Binakun, ikën një pjesë e historisë së gazetarisë sportive shqiptare

Prishtinë | 10 Shk 2018 | 13:02 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është mbajtur mbledhje komemorative për nderë të veprës së gazetarit të sportit, Agim Binaku, i cili u nda nga jeta në moshën 62-vjeçare. Miq e kolegë ndanë momente të punës së bashku me Agimin dhe nderuan veprimtarinë e tij prej 4 dekadash në fushën e gazetarisë.

Drejtoresha e Radio Televizionit 21, Afërdita Saraçini-Kelmendi, tha se së bashku me Agim Binakun kanë ndarë një pjesë të jetës.

“Njeriun me të cilin shumë shpesh ndaja hallet, shumë shpesh cakërronim nga një gotë, shumë shpesh përplaseshim për çështje programore, por shumë shpesh edhe dinim të qeshnim, dinim së bashku të kalonim një jetë të tërë në Televizionin 21. Ia thonim njëri-tjetrit shumë shpesh se njeriu gjysmën e jetës e kalon në familjen e madhe të Televizionit 21, ndërsa pjesën tjetër në familjen e tij”, tha ajo.

Drejtori i programit kulturor-artistik në RTV 21, Florin Kelmendi, tha se Agimi ka dhënë shumë sportit kosovar me kronikat e tij.

“Po them me keqardhje të madhe që miku im, Agimi, miku e kolegu im, më mashtroi, iku shpejt… Iku një gazetar shumë i përkushtuar e dinamik i sportit, një pjesë shumë e vlefshme e historisë së gazetarisë shqiptare. Na iku një kronist i shkëlqyeshëm i zhvillimit të gazetarisë sportive dhe i historisë së sportit, jo vetëm shqiptar”, u shpreh ai.

Edhe Eugen Saraçini ka ndarë me të pranishmit kujtimet e tij me kolegun shumëvjeçar, duke e cilësuar atë si pjesë të familjes.

“Mbi 20 vjet kam kaluar një pjesë të jetës me Agimin, në punë dhe jashtë punës, aq kohë sa kam kaluar edhe me familjen time”, u shpreh ai.

Djali i të ndjerit, Leart Binaku, tha se Agimi nuk iu ka takuar vetëm atyre si familje, por i takonte gazetarisë dhe gjithë Kosovës.

“Ai ka kaluar shumë kohë me ne, ka kaluar shumë kohë në punë edhe gjithmonë ka pasur qejf që edhe pas punës ta zgjasë ndejën, sepse ashtu e ka kuptu profesionin – si familje. Gjithmonë ka qenë i sigurt që e ka një familje që e mirëkupton, edhe në punë sa ka qenë për familje ka folur shumë, që është një prej treguesve që ata njerëz i kanë munguar”, tha ai.

Të ngjashme