Me rastin e 20-vjetorit të vrasjes nga serbët, mbahet ligjëratë publike për familjen Sylmetaj

Prishtinë | 22 Tet 2018 | 17:43 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qendra e Dokumentimit në Kosovë ka mbajtur ligjëratën publike “Sot, 20 vjet më parë: Rasti i familjes Sylmetaj”. Të gjeturat dhe faktet që u prezantuan, në lidhje me vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Sylmetaj nga fshati Gërçinë, më 22 tetor 1998 në Goden, janë të bazuara në deklaratat e dëshmitarëve okularë, familjarëve të viktimave dhe të gjeturave nga Tribunali i Hagës.

“Në orët e hershme të mëngjesit, më datën 22 tetor 1998, derisa po ktheheshin në fshatin Gërçinë nga Shqipëria vriten 5 persona, ndër ta 3 fëmijë. Ceremonia e varrimit mbahet ditën e nesërme, në fshatin Gërçinë.”

Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare, falënderoi familjen Sylmetaj për mbështetjen e dhënë për përgatitjen e kësaj ligjërate.

“Falënderoj anëtarët e familjes Sylmetaj për përkrahjen që na kanë dhënë me u përgatitë kjo ligjëratë publike. Kjo ditë shënon fillimin e ciklit të ligjëratave që do mbajmë çdo muaj për ngjarje të ndryshme”, tha Blakaj.

Dea Dedi, menaxhere e Qendrës së Dokumentimit në Kosovë, tha se familja Sylmetaj përbëhej nga 70 anëtarë, në fund të muajit gusht të vitit 1998 gjendja në Kosovë kishte filluar të përkeqësohej nga rritja e pranisë së ushtrisë jugosllave e cila ishte në ofensivë.

“Pjesëtarët e familjes Sylmetaj morën vendimin e përbashkët të largoheshin nga fshati. Ata vendosën të shkonin në Shqipëri rreth 40 anëtarë të familjes. Ata u nisën në këmbë përmes rrugës malore, shkuan në këmbë deri në fshatin Nikoliq ku kishin disa kushëri dhe qëndruan 5 javë”, tha Dedi.

“Nga Shqipëria familja Sylmetaj gjatë tërë kohës përcillte gjendjen politike në Kosovë, përmes medieve, ku kuptuan se më 13 tetor 1998 ishte arritur marrëveshja mes Holbrukut dhe Millosheviqit se ishte lejuar hyrja e stafit të paarmatosur të OSBE-së dhe misionit të verifikimit në Kosovë. Kjo situatë iu duk shpresëdhënëse dhe vendosën të ktheheshin në shtëpi. Ata u kthyen të ndarë në dy grupe, grupi i parë i përbërë nga Fetahu me familje dhe Xhaferi me gruan u nis në këmbë dhe 19 tetor arritën në Gërçinë pa asnjë problem”.

“Grupi i dytë me Fadilin me gruan e tij Sadeten dhe katër fëmijët, Ramizi me gruan e tij Ajshen dhe 2 djemtë, si dhe Sabrija, gruaja e Ganiut me 5 fëmijët e saj u nisën për në shtëpi natën e 22 tetorit. Ata u këshilluan nga fshatarët që të ktheheshin përmes një rruge alternative, atyre u dolën në ndihmë Xheladin Dauti, ushtar i UÇK-së nga Shqipëria, i cili vendosi të nisej bashkë me ta i armatosur. Sot 20 vite më parë familja ranë në pritë të serbëve. Pa paralajmërim u hap zjarr mbi ta, ku mbeti i vdekur Ramiz Sylmetaj bashkë me dy djemtë e tij Muharrem dhe Mazllum Sylmetaj. Nga plagët ndërroi jetë Leonora Sylmetaj dhe Xheladin Dauti, pjesëtar i UÇK-së”.

“Ky krim është kryer në zonën e përgjegjësisë së brigadës 549 në kuadër të Ushtrisë Jugosllave të Motorizuar në krimet e kryera në Kosovë që kishte 2500 ushtarë të cilët ishin të shtrirë në territorin e Gjakovës dhe rrethinës, në krye me komandantin Bozidar Deliç dhe komandanti i Batalionit të 2-të, Vlatko Vukoviç.”

“Formati i ligjëratave është për me i kujtu të gjitha viktimat dhe me i informu të gjithë për ngjarjet që kanë ndodhur më parë”, tha Dedi.

Të ngjashme