MI-ja financon realizimin e dy projekteve në Malishevë

Prishtinë | 21 Pri 2017 | 12:03 | Nga

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit për financimin e projekteve infrastrukturore në komunën e Malishevës.

Me këtë Memorandum, MI-ja do të financojë realizimin e asfaltimit të rrugëve në fshatin Llapçevë – Ujëvarat e Mirushës në vlerë prej 250 000 eurosh dhe Mleqan – Pllaqicë në Malishevë, në vlerë prej 162 000 eurosh.

MI-ja obligohet të sigurojë mjetet financiare për realizimin e këtyre projekteve, ndërsa komuna e Malishevës obligohet të sigurojë kushtet e nevojshme për realizimin e projekteve për operatorët ekonomikë, të kryejë procedurat e tenderimit të projekteve, të caktojë komisionin e vlerësimit, projekt-menaxherin, si dhe komisionin për inspektimin final të punimeve, në të cilin do të marrë pjesë një anëtar i MI-së.

Komuna obligohet që të sigurojë kushtet e nevojshme, që projektet të realizohen pa pengesa brenda afatit të caktuar, në përputhje me ndarjet buxhetore dhe me kualitet të lartë.

Po ashtu, komuna është e obliguar të njoftojë MI-në për rrjedhat e realizimit të projekteve, të kryejë çdo lloj shpronësimi të nevojshëm për zbatimin e këtyre projekteve, përfshirë procedurat e kompensimit në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrinë e Financave dhe të hartojë projektet për çdo investim infrastrukturor, i cili kryhet sipas këtij Memorandumi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme