Miliona eurot për mirëmbajtje se shkrijnë borën

Prishtinë | 07 Jan 2017 | 14:38 | Nga

Komuna e Ferizajt ka ndarë sivjet gati gjysmë milioni euro për pastrimin e rrugëve. Por bora e parë që ra të enjten e zuri “gafil” komunën dhe kompaninë e përzgjedhur. Ende ka rrugë që janë gati të pakalueshme.

Fotografitë që kanë shkrepur qytetarët tregojnë se gjendja në këtë qytet vazhdon të jetë shqetësuese,

Vet kryetari i komunës, Muharrem Svarqa ka pranuar se kompania e kontraktuar për pastrimin e rrugëve ka dështuar në punën e saj.

“Kompania ka dështuar të kryejë obligimet e veta, për shkak të defekteve në mekanizmin që e shfrytëzon për pastrimin e borës, prandaj gjatë ditës do të shtrohet dhe do të kërkohet përgjegjësia e të gjithë atyre që nuk kanë qenë në nivel të detyrës”, ka thënë Svarqa në takimin me anëtarët e Sigurisë në Bashkësi.

Ndërkohë kjo komunë prinë si komuna që ka ndarë më së shumti mjete për pastrimin e rrugëve. Gjithsej 399 mijë e 178 euro peshon kontrata që iu dha kompanisë “Pastërtia”. Përveç kësaj, Ferizaj ndau edhe 30 mijë euro tjera për pastrimin e rrugëve nëpër fshatra, shkruan Gazeta Fjala.

Më mirë gjendja nuk është as në komunat tjera. Kjo përkundër faktit që për pastrim të rrugëve u ndan miliona euro.

Komuna e Prishtinës, me 6 kompani për mirëmbajtje

Komuna e Prishtinës, kishte kontraktuar katër operatorë privatë për mirëmbajtjen e rrugëve dhe rrugicave, ndërkohë që sipas kontratës së nënshkruar edhe dy operatorë për pastrimin e rrugëve nga dëbora nëpër zonat e thella të Komunës së Prishtinës.

Ndërmarrja “Toifor” kujdeset për pjesën e parë të qytetit ku hyjnë 74 rrugë, dhe ishte kontraktuar me një çmim prej 96 mijë e 946 eurosh e 68 centë. Në pjesën e dytë, ku hyjnë 64 rrugë, është angazhuar kompania ”Zahiri”, e cila për këtë shërbim do të paguhet 70 mijë e 734 euro. Në pjesën e tretë, ku hyjnë 67 rrugë, është angazhuar kompania “Alkoimpex”, çmimi për sezonin dimëror është 72 mijë e 082 euro dhe në pjesën e katërt ku janë 103 rrugë është angazhuar grupi i operatorëve ekonomikë, “Europapartners&Luboteni”, me çmim për sezonin dimëror 83 mijë e 898,20 euro. Për pastrimin e rrugëve në zonat e thella, një vit më parë ishin angazhuar kompanitë “Dardania” dhe “VZ kompani”.

Komunat tjera me kontrata mbi 100 mijë euro

Komuna e Gjilanit del po ashtu si komuna që ka ndarë goxha para për pastrimin e rrugëve. Mbi 100 mijë euro peshon kontrata me kompaninë e përzgjedhur “TALI”.

Ndërkaq, Komuna e Klinës ndonëse komunë e vogël, për pastrim dimëror të rrugëve i ka ndarë 125 mijë euro. Pastrimin do ta kryej kompania “El Bau”.

Plotë 160 mijë euro tjera për pastrim të rrugëve ka ndarë vetëm komuna e Pejës. Dy kompanitë e përzgjedhura që do kryejnë këtë punë janë kompania “Dorëarti & Graniti &Lindi Markings”.

Më e kursyer është treguar komuna e Drenasit. 14 mijë 883 euro peshon kontrata që iu dha kompanisë “Fer Petrol” për pastrim të rrugëve të kësaj komune.

Rrugët që  bllokuan për shkak të reshjeve

Reshjet e fundit, kanë bërë që të shtohet aktiviteti në mirëmbajtjen e rrugëve. Por, edhe përkundër kësaj për shkak të reshjeve të shumta të borës, Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se disa akse rrugore janë të bllokuara.

-Pjesa e rrugës në pikën kufitare me Malin e Zi, në Kullë.

-Rruga Brezovicë-Prevallë si dhe pjesa tjetër e kësaj rruge nga pushimoret deri te Qendra e Skijimit.

-Rruga Mitrovicë-Bajgorë.

-Rruga për fshatin Tugjevc të komunës së Kamenicës.

Pjesa e rrugës për Kaçanik është bllokuar vetëm për qarkullimin e automjeteve të rënda-kamionëve, për shkak të pastrimit të rrugës.

Ndërsa, rrugët tjera janë të vendit tonë janë të kalueshme duke e përfshirë edhe Autostradën “Ibrahim Rugova”.

“Ministria e Infrastrukturës, është duke punuar pa ndërprerë që të ketë një mirëmbajtje të rrugëve sipas planeve të parapara për mirëmbajtjen dimërore të këtyre rrugëve. Ekipet tona janë duke punuar pandërprerë në mënyrë që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme për qarkullimin e qytetarëve të vendit tonë”, njofton Ministria përmes komunikatës për media.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme