Minatorët e Trepçës protestojnë para Kuvendit, kërkojnë që në statut të përfshihen të gjitha asetet

Prishtinë | 05 Kor 2018 | 12:02 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Minatorë të Trepçës kanë protestuar para objektit të Kuvendit, duke kërkuar plotësimin kërkesave të tyre nga Kuvendi dhe Qeveria.

Ata kanë kërkuar njohjen e pensioneve dhe 70 për qind të pagës, mosha e pensionimit për ata të jetë nga 50 deri në 55 vjet, të krijohet ligji për invalidët e punës, të kenë stazh të benificuar, sigurim shëndetësor të punës, njohje të stazhit të punës për vitet 1989-99 dhe pension familjar.

Ata thanë se kjo është protestë paralajmëruese, por nëse nuk plotësohen kërkesat deri më 9 korrik, afat i kërkuar nga MZhE, punëtorët kanë thënë se do të hyjnë në grevë dhe do të dalin në protesta.

Kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini tha se nuk do të lëshojnë pe për kërkesat e tyre, raporton Ekonomia Online. Ajdini shtoi se kërkojnë njohje të pensionit në 70 përqind dhe mosha e vjetërsisë 50-55 vjet, njohja e stazhit të viteve 1989-1999.

“Nuk kemi pas dëshirë që kjo protestë të ndodhë. Kjo është turp nga Qeveria sepse minatorët janë harruar nën tokë. Kërkesat që janë në pankarta janë legjitime dhe duhet të realizohet. T’i shohim që janë duke punuar për ne”.

“Kërkesat tona janë, njohja e pensionit në 70 përqind dhe mosha e vjetërsisë 50-55 vjet, njohja e stazhit 89-99 sepse shumica e punëtorëve nuk po mund ta marrin pensionin e plotë. Kërkojmë që t’u njohët përvoja e punës për ta arritur skemën pensionale, kërkojmë që skema pensionale të zbritet në 10 vite në mënyrë që ata të mund ta marrin pensionin e plotë. Kërkojmë nga Qeveria të bëjë planin. Përndryshe do të vazhdojmë me protesta”, tha Ajdini.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, tha se protesta e sotme është paralajmëruese për qeverinë.

Ai ka apeluar Qeverinë që deri më 9 korrik t’i plotësojë kërkesat e tyre, në të kundërtën, sipas tij do të pasojnë grevat dhe protestat e punëtorëve. Sadiku ka thënë se në draft statutin e propozuar nga Bordi i Trepçës nuk janë të përfshira 27 asetet e ndërmarrjes, por vetëm tre prej tyre.

“Minatoret janë duke punuar, s’kemi dashur të ndërpremë punën. Kërkesat tona i kanë edhe institucionet. Nga këtu ju drejtohemi që këto kërkesa t’i marrin parasysh sepse janë të drejta. S’janë vetëm kërkesa sociale, por draft-statuti i Bordit politik e ka rrezikuar Trepçën. Asetet e Trepcës që janë përjashtuar nga statuti, janë vetëm tri asete të përfshira. Kërkojmë që 27 asetet e Trepçës të futen në draft statut, e jo këto aeste të kalojnë në AKP, sepse e dimë çfarë trajtimi ka bërë AKP-ja”.

“Kjo është proteste paralajmëruese, afati përfundon më 9 korrik 2018. Nëse nuk merren parasysh kërkesat deri atëherë do të pasojnë grevat dhe potestat. Do të ketë greva me ngujim në minierë. Është apeli i fundit, nëse këto nuk zgjidhen me dialog por në rrugë, atëherë përgjegjësinë e merr Qeveria”.

Protestuesit nuk kanë pranuar që të hyjnë në Kuvend, duke kërkuar nga përfaqësuesit e Kuvendit që të dalin para tyre.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Fitore Pacolli, Xhelal Sveqla dhe deputeti i Nisma-s, Milaim Zeka dolën para protestuesve për t’i përkrahur ata.

Deputeti i Nisma-s, Milaim Zeka tha se kërkesat e minatorëve janë të drejta dhe se do t’u ndihmojnë që ato të plotësohen.

“Unë personalisht edhe ju kam mbështet edhe ju mbështes, me Samiun kemi qenë shokë edhe të burgut edhe kemi dal këtu këtu në emër të partive politike por si deputet. Nëse baballarët tanë kanë ardhur me ju vizituar kur keni hy brenda edhe që keni bërë veprën më heroike për ne është marre me u solidarizuar me juve”.

“Kam njerëz brenda kuvendit që kur kamionët e Trepçës janë shkruar 250 euro, kur kanë mbërri në Kinë janë shit 250 mijë euro. Hajni nuk ka identitet, nuk ka nevojë me qen as serb as malazez as shqiptar me qenë hajn. Hajnat e ri e kanë pru këtu Trepçën. Ne si deputet të të gjitha partive politike do të përpiqemi të ju ndihmojmë sa i përket kërkesave tuaja”.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami kurteshi, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se e kanë kundërshtuar dhe nuk do të lejojnë privatizimin e Trepçës. Edhe Kurteshi deklaroi kërkesat e minatorëve do t’i paraqesin në Kuvend.

“Për historinë e vuajtjeve tuaja, nuk po flasim. Kur e pamë këtë takimin tuaj ne dolëm. Ligji për Trepçën ka qenë i dëmshëm dhe qëllimi ka qenë me privatizuar. LVV e ka kundërshtuar me kohë, tash ka ardhur statusi për ndarjen e Trepçës edhe këtë e kemi kundërshtuar. E kemi mbajt edhe një takim me ekspertë në lidhje me këtë çështje”.

“LVV as tash as më përpara nuk do të lejoj legalizimin e shitjes dhe humbjes së Trepçës për interesa personal. Kemi dalë me ju përkrah dhe kërkesat e juaja po i bartim para parlamentit. E përkrahim protestën tuaj. Protesta është një segment. Po e shohim humbjen e qindra milionave euro”.

Minatori në minierën e Artanës, Qazim Avdyli, tha se kryeministri Ramush Haradinaj u kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore se do të plotësonte kërkesat e punëtorëve, por nuk e ka mbajtur premtimin.

Të ngjashme