Ministri Lluka priti ambasadoren e Ganës, flasin për bashkëpunim ekonomik

Prishtinë | 11 Qer 2018 | 17:39 | Nga

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka pritur sot në takim njohës Ambasadoren e Republikës së Ganës të akredituar në Republikën e Kosovës, Salma Frances Mancell-Egalla.

Takimi kishte karakter njoftues për ekonomitë e të dyja vendeve, me ç’rast u dakorduan për një takim i cili do të mbahet në shtator të këtij viti dhe një vizitë të përfaqësuesve të bizneseve kosovare në Ganë.

Ministri Lluka ka njoftuar diplomaten ganeze me zhvillimet e përgjithshme ekonomike në vend, me theks të veçantë sektorët që mbulon Ministria e Zhvillimit Ekonomik, siç janë energjia, minierat dhe teknologjia e informacionit.

Kreu i MZHE-së më tutje ka njoftuar Ambasadoren Mancell-Egalla, me resurset ekonomike dhe mundësitë për investime në vend, duke nënvizuar masat që Qeveria ka ndërmarrë për të përmirësuar kornizën institucionale dhe ligjore për të stimuluar investimet e huaja.

Ministri Lluka ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim ekonomik me Ganën në fushat me interes të përbashkët, duke theksuar se marrëdhëniet diplomatike të lidhura së fundi mes dy vendeve i hapin rrugën këtij bashkëpunimi.

Nga ana e saj, Ambasadorja e Republikës së Ganës, Salma Frances Mancell-Egalla ka falënderuar Ministrin Lluka për gatishmërinë e tij për bashkëpunim dhe njëkohësisht shprehu edhe vullnetit të vendit që përfaqëson për thellimin e bashkëpunimit bilateral.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme