Ministri Murati nderon të rënët shqiptarë në luftën e Kroacisë

Prishtinë | 11 Nën 2016 | 11:36 | Nga

Me ftesë të Shoqatës Shqiptare të Mbrojtësve të Kroacisë në Luftën Atdhetare, ministri i Diasporës, Valon Murati, po qëndron në Kroaci, në kuadër të aktiviteteve të organizuara për përkujtimin e rolit dhe kontributit të bashkatdhetarëve tanë në luftën për çlirimin e Kroacisë.

Këto aktivitete po zhvillohen nën organizimin e kësaj shoqate, në bashkëpunim me komunën e Bogdanovcit dhe nën patronazhin e presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviç.

Në emër të Republikës së Kosovës, ministri Murati, bashkë me zëvendësministrin e FSK-së, Muhamet Latifi, dhe ambasadoren e Kosovës në Kroaci, Shkëndije Geci-Sherifi, si dhe ish-komandantin e FSK-së, Kadri Kastrati, i nderuan të rënët shqiptarë e kroatë, duke vendosur kurora lulesh në monumentet e luftëtarëve dhe viktimave të kësaj lufte.

Me këtë rast, ministri u takua edhe me familjarët e nëntë shqiptarëve të vrarë në këtë betejë të familjeve Bardheci, Lleshi dhe Krasniqi.

Gjithashtu, Murati vizitoi edhe varrezat qendrore të dëshmorëve dhe civilëve të vrarë të Vukovarit, varrezën masive Ovqara, si dhe u prit nga kryetari i Bashkisë së Vukovarit, IvanPenava, me të cilin foli për fuqizimin e raporteve mes shqiptarëve dhe kroatëve, përkatësisht mes Republikës së Kosovë dhe asaj të Kroacisë.

Gjatë ditës së sotme, ministri Murati do të marrë pjesë në tryezën me temën “Kontributi i shqiptarëve në luftën atdhetare”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme