MMPH-ja nis fushatën për vetëdijesim mjedisor

Prishtinë | 22 Shk 2017 | 11:26 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka promovuar Udhëzimin Administrativ për Gjobat Mandatore me qëllim të mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit .

Me këtë udhëzim administrativ ndëshkohet hedhja e mbeturinave jashtë vendeve të caktuara, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, theksoi se sot po fillojnë një kampanjë vetëdijesimi, sensibilizimi, por mbi të gjitha një kampanjë mjedisore.

“MMPH ka vendosur tashmë prioritetet dhe si prioritet është menaxhimi i mbeturinave. Ky udhëzim derivat për menaxhimin e mbeturinave në mjedis. Ju e dini që kemi dhjetëra deponi industriale, kemi ambient të papastër në tokë e ujë”, tha ai.

Naim Ismajli, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, tha se shpreh gatishmërinë e Komunave që të jenë të angazhuar për këtë udhëzim.

“Implementimi i këtij udhëzimi do të zbatohet edhe në bashkëpunim me qytetarët. Ambienti mund të ndotet 24 orë.  Qytetarët do të jenë zbatuesit më të fuqishëm”,tha ai.

Ismajli theksoi se deri sa Evropa po nxjerr mbeturina që janë “varrosur” me shekuj ne e kemi sinjalin e qartë që nuk mund të prodhojmë deponi në mënyrë ilegale.

“E dimë se një administrim i qëndrueshëm do të kërkojë punë tonën. Ne do ti rrisim masat e kontrollit dhe nuk do të jemi tolerant dhe besoj se të gjithë qytetarët kërkojnë eliminimin e deponive ilegale”.

Kurse, kolonel Sheremet Ahmeti në emër të Policisë së Kosovës  deklaroi se mjedisi është burim jetësor dhe se gjendjen aktuale nuk mund të jenë të kënaqur.

“Ndotjen e ambientit se bënë vetëm hedhja e një cigare e një kanaçeje por edhe burimet tjera e ndotin ambientin. Kemi Obiliqin, Ferronikelin,veturat andaj Policia e Kosovës edhe këtë çështje e ka marrë me seriozitet. Sigurisht që në aspektin e sigurisë edhe kjo ndikon sepse shëndeti i njeriut është mbi çdo gjë. Hedhja e cigares e ndezur po ndikon edhe në gjendjen e sigurisë”.

Sipas tij Policia do t’i kryejë angazhimet e tyre dhe do të kërkojë nga këta të fundit të përgjigjen konform ligjit.

Gjobat do të fillojnë prej vlerës pesë euro për ata që hedhin cigare apo çamçakëzë në rrugë ose sipërfaqe publike deri në gjobën 100 euro për ata që hedhin çfarëdo lloj mbeturine në ujëra apo në brigjet e përroskave lumenjve, liqeneve ose sipërfaqeve të tjera me ujë.

Ky udhëzim administrativ parasheh ndëshkimin e personave fizik ose juridik të cilët shkelin dispozitat e këtij udhëzimi me qëllim të parandalimit të hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të caktuara, eliminimin apo reduktimin e ndotjes, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut dhe mbrojtjen e sipërfaqeve publik dhe private nga ndotja.

Të ngjashme