Mospajtime për një rrugë mes Qeverisë së Kosovës e Manastirit të Deçanit

Prishtinë | 28 Maj 2018 | 15:04 | Nga

Pas reagimit të Kishës Ortodokse serbe janë ndërprerë punimet e një rruge që kalon pranë Manastirit të Deçanit. Bashkësia ndërkombëtare mbështet vendimin për ndërprerjen e punimeve, qeveria kërkon vazhdimin e punimeve, thekson DW në një vështrim të vet.

Në Kosovë autoritetet ndërkombëtare e mbështesin vendimin për ndërprerjen e punimeve në një rrugë rajonale që e lidh Kosovën dhe Malin e Zi, e cila kalon afër manastirit të Deçanit në perëndim të Kosovës. Ky manastir dhe zona përreth tij janë një zonë e zonë e mbrojtur me ligj të veçantë, që është miratuar nga Parlamenti i Kosovës në vitin 2008.

Mirëpo ndërprerja e punimeve të kësaj rruge nuk i ka pëlqyer kryeministrit Ramush Hardinaj dhe partive politike shqiptare, të cilat bënë thirrje për vazhdimin e ndërtimit të rrugës.

Ndërprerja e punimeve të rrugës u bë pas reagimit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, e cila thotë se “kjo zonë është e mbrojtur me ligj”. Në një komunikatë për medie të Kishës Ortodokse Serbe, thuhet se “dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e ka përsëritur shumë herë qëndrimin se zona përreth manastirit është e mbrojtur me ligj”.

“Kisha nuk është kundër ndërtimit të rrugëve, por ndërtimi i rrugës së tranzitit përgjatë mureve të Trashëgimisë Kulturore Botërore më të rëndësishme të UNESCO-s në rajon, përbën jo vetëm shkelje të ligjit aktual, por një akt kundërcivilizues, i cili do të shkaktojë dëme të konsiderueshme në manastirin e Deçanit. Rruga tranzit do të rrisë trafikun, sidomos të automjeteve të rënda dhe do të bëjë dëme shtesë dhe ndotje, kështu që zona rreth manastirit, një nga oazet e rralla të paqes dhe qetësisë do të dëmtohet në mënyrë të pariparueshme”, thuhet në komunikatën e Kishës Ortodokse Serbe.

Në mbështetje të Kishës doli Misioni i OSBE-së në Kosovë, që thotë se po i përcjell me shqetësim këto zhvillime.

“OSBE po ndjek me shqetësim atë që duket të jetë ndërtim i paligjshëm i rrugëve, brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit. Çdo punë në rrugë brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur duhet të rregullohet nëpërmjet Këshillit të Zbatimit dhe Monitorimit. Ne bëjmë thirrje për zgjidhje të pranueshme nga të dy palët në përputhje me ligjin e Kosovës dhe angazhimet ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e misionit të OSBE-së.

Edhe shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Nataliya Apostolova, në reagimin e saj thotë se “është me rëndësi të madhe që ligji për Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit të respektohet rreptësisht dhe çdo veprim i mundshëm të miratohet nga Këshilli i Zbatimit dhe Monitorimit”.

Mirëpo e gjithë kjo situatë e krijuar, për kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj është një keqkuptim. Ai thotë se një pjesë e rrugës që kalon afër Manastirit vetëm po rinovohet sepse, kjo rrugë aty ka ekzistuar me shekuj.

“Ekziston një keqinformim rreth punimeve në njërën nga rrugët e Deçanit. Ftoj diplomatët që të shkojnë në vend të ngjarjes, të shohin situatën dhe të binden se rruga që po rinovohet ka ekzistuar edhe më parë, për t’iu shmangur kështu deklarimeve të ngutshme. Populli i Kosovës gjithmonë ka jetuar në harmoni me komunitetet pakicë, duke respektuar trashëgiminë fetare dhe kulturore të të gjithëve pa dallim. Qeveria e Kosovës e ka për obligim riparimin dhe menaxhimin e rrugëve në tërë territorin e Kosovës”, shkroi në profilin e tij social kryeministri Ramush Haradinaj.

Edhe ministri i Infrastrukturës në qeverinë e zotit Haradinaj, Pal Lekaj, thotë se ndërtimi i rrugës që e lidh komunën e Deçanit me Malin e Zi nuk e cënon zonën e mbrojtur të manastirit.

“Konform kësaj dëshiroj të bëj thirrje që të kontribuojmë të gjithë faktorët relevantë, vendorë e ndërkombëtarë, që një temë e cila është kryekëput humane e njerëzore, të mos përkthehet si diçka tjetër, qoftë për të nxjerrë keq komunitetet njëri-tjetrin, apo edhe për të bërë zhurmën që nuk duhet të bëhet”, thotë ministri Pal Lekaj.

Partitë politike shqiptare të përfaqësuara në kuvendin e Kosovës, janë kundër ndërprerjes së punimeve të rrugës që e lidh komunën e Deçanit me Malin e Zi, dhe ato i bëjnë thirrje Kishës Ortdokse serbe që mos ta pengojë ndërtimin e rrugës.

Edhe në vitin 2014 pas reagimit të Kishës Ortdokse serbe, ishin ndërprerë punimet për ndërtimin e kësaj rruge që kalon afër manastirit te Deçanit. Kjo për faktin që në planin e Marti Ahtisarit, mbi bazën e të cilit u shpall pavarësia e Kosovës, një pjesë e madhe përreth Manastirit të Deçanit është zonë e mbrojtur ku nuk lejohet asnjë ndërtim. Kjo është konfirmuar edhe në vitin 2013 nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila i njohu manastirit të Deçanit të drejtën e pronës mbi 23 hektarë tokë, që vazhdimisht kontestohet nga komuna e Deçanit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme