A mund t’i përballojë Kosova fatkeqësitë e mundshme natyrore?

Prishtinë | 11 Gus 2016 | 15:16 | Nga

Ekspertët e pavarur të sigurisë thonë se Kosova nuk e ka shkallën e duhur të sigurisë për t’u përballur me fatkeqësi të mundshme natyrore, por janë zyrtarët kompetentë të institucioneve të sigurisë ata që e pohojnë të kundërtën. Sipas tyre, Kosova ka kapacitetet e mjaftueshme njerëzore, për t’u përballur me situata të tilla.

Meteorologët kosovarë i kanë thënë Radio Evropës së Lirë, se edhe pse në Kosovë nuk ka ndonjë rrezik të parashikuar, megjithatë ajo nuk mund të jetë imune ndaj këtyre ndodhive, të cilat viteve të fundit kanë goditur vendet fqinje, kurse së fundi Maqedoninë.

Sylë Tahirsylaj, profesor i Agro-meteorologjisë në Fakultetin e Bujqësisë, thotë se Kosova nuk mund të ndahet nga rajoni, meqenëse, lëvizja e masave ajrore “nuk ka atdhe”.

Tahirsylaj i cili ka qenë drejtor i Institutit Hidro-Metereologjik, thotë se Kosova nuk gjendet në një situatë të mirë për shkak të degradimeve natyrore, ndotjeve industriale dhe shkatërrimit të shtretërve të lumenjve.

Prishtina, thotë ai është vendi më i rrezikuar nga këto proceset atmosferike për shkak të shkatërrimit të natyrës.

“Kosova është në një situatë alarmante. Sepse pas përfundimit të luftës, ka një degradim të shumëfishtë të natyrës nga faktori njeri.

Mirëpo, orografia e Kosovës ka një specifikë nga shtet e rajonit, për arsye se në aspektin hidrologjik dhe meteorologjik Kosova është kulmi i Ballkanit. Rreth 99 për qind të lumenjve të Kosovës janë lumenj të shpejtë, të cilët e lëshojnë territorin e vendit tonë, nuk akumulohen, por shkojnë në drejtim të pellgjeve dhe zbrazen në dete”, ka thënë Tahirsylaj.

Kuvendi i Kosovës ka të miratuar Ligjin për Mbrojtjen nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë tjera, që ka për qëllim mbrojtjen dhe shpëtimin e njerëzve, kafshëve, pronave, trashëgimisë kulturore dhe mjedisit nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera

Në bazë të këtij ligji, shteti është përgjegjës për organizimin e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera si sistem unik dhe integral shtetëror.

Në Kosovë ekziston Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) që funksionon në kuadër të Ministrisë se Punëve të Brendshme.

Fadil Kodra, krye shef ekzekutiv në këtë agjenci, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se janë gatishmëri të plotë në rast të fatkeqësive natyre.

“Reaguesit e parë në këto situata janë zjarrfikësit, pastaj shërbimi mjekësor dhe Policia. Ne jemi të gatshëm, çdo herë që ti dalim në ndihmë qytetarëve në raste të fatkeqësive natyrore”, ka deklaruar Kodra.

Sipas ligjit, në rast të fatkeqësive fillimisht niveli lokal është përgjegjës për zbatimin e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyre dhe fatkeqësitë tjera, thotë Kodra .

“Komunat e kanë përgjegjësinë, por nëse ato nuk mund të menaxhojnë situatën e bëjnë kërkesën në agjenci. Kështu, më pas Agjencia në bazë të situatës i angazhojmë edhe njësitet tjera, si Forcën e Sigurisë se Kosovës apo institucionet tjera”, thotë ai.

Bazuar në ligjin kompetent, për raste të tilla në Kosovë duhet të ketë strehimore dhe objektet tjera për mbrojtje, që ndërtohen me qëllim të mbrojtjes së njerëzve në raste të luftës apo rreziqeve tjera.

Fatkeqësi konsiderohet një ngjarje apo pjesë e ngjarjes e shkaktuar nga forcat madhore të natyrës apo forcat tjera te pakontrolluara, të cilat rrezikojnë jetën e njerëzve, kafshëve dhe pronave, në përmasat e atilla që kërkojnë ndërmarrjen e masave dhe dislokimin e forcave dhe resurseve të veçanta.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme