Mungesa e informimit ndikoi në rritjen e ekstremizmit në Kosovë

Prishtinë | 10 Pri 2017 | 11:53 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qendra Kërkimore për Politikat e Sigurisë (SPRC) ka bërë prezantimin të gjeturave të raportit hulumtues “Faktorët ndikues në radikalizëm dhe Ekstremizëm të Dhunshëm: mësimet nga Peja, Mitrovica, Gjilani, Ferizaj dhe Kaçaniku.

Aty u tha se programet e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit duhet të jenë të bazuara mbi nevojat dhe specifikat lokale, raporton Ekonomia Online.

Kurse faktorët që ndikojnë në radikalizëm dhe përhapje të ideologjisë së ekstremizmit të dhunshëm janë: ndjenja e pakënaqësisë individuale, mungesa e edukimit të përgjithshëm dhe edukimit fetar, mungesa e informacioneve për zhvillimet në Siri, ndjenja e izolimit të të rinjve, të qenit i ndikuar nga ndonjë grup, instrumentalizmi i fesë për qëllime ekstremiste, propaganda dhe rrjetet sociale e faktorë të tjerë.

Profesori i studimeve Islame, Xhabir Hamiti, tha se faktorët që kanë ndikuar në ekstremizëm dhe radikalizëm është ndikimi i organizatave që kanë ardhur në Kosovë pas luftës, mungesa e njohjes së rrymave dhe ideologjive të jashtme që nuk kanë të bëjnë me fenë.

“Një prej formave që janë ballafaquar të rinjtë tanë janë mediet, është fjala për rrjete sociale. Një prej gjetjeve kryesore është keqinformimi ose informimi jo i drejtë me atë se çfarë po ndodhë në Siri dhe Irak”, tha ai.

Kurse Burim Ramadani nga SPRC-ja tha se propaganda dhe rrjetet sociale kanë bërë që të rinjtë të bien preh e propagandës.

Ai ka cekur edhe disa rekomandime për Qeverinë e vendit që duhet të merr parasysh.

“Rekomandime për Qeverinë: duhet të organizojë politikat dhe mekanizmat e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe komunitetet, të vendos në prioritet buxhetor zbatimin e Strategjisë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmi, të bashkërendojë aktivitetet e ndryshme nga aktorë në nivele lokale dhe qendrore dhe të bashkëpunojnë me organizatat e shoqërisë civile që shtrihen në komuna”, ka thënë ai.

“Ndërsa, Parlamenti i Kosovës duhet të mbështesë Qeverinë në ofrimin e kapaciteteve buxhetore, të ndërtojë rolin e vet aktiv në komunikim me komunat, kurse për Bashkësia Islame duhet të përpilojë dhe fillojë zbatimin e një programi gjithëpërfshirës për t’u përballur me propagandat, të mbikëqyr në formë të saktë zbatimin e planprogramit të ligjëratave nëpër xhamitë e vendit dhe të rris angazhimin dhe komunikimin me komunitetet”, ka thënë Ramadani.

Ramadani ka thënë se roli i organizatave të huaja ka pasur ndikim të madh tek të rinjtë.

Në prezantimin e këtij raporti u tha se rolin në parandalim të kësaj duhet ta luajë Bashkësia Islame në bashkëpunim me institucionet shtetërore.

Të ngjashme