Musliu: Prokurimi publik, burim i korrupsionit

Prishtinë | 10 Dhj 2016 | 10:26 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Kosovë korrupsioni është zhvilluar me hapa shumë të shpejt dhe ka marrë shtrirje shumë të madhe thuajse në të gjitha segmentet e shoqërisë. Pra prokurimi publik është fusha ku buron korrupsioni dhe të gjitha institucionet janë të prekura nga ky fenomen.

Zyrtarët publikë të cilët janë të përfshirë në afera korruptive kanë krijuar një lloj imuniteti dhe nuk preken nga ana e gjyqësisë.

Kështu thotë Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi në një intervistë dhënë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online.

Kosova ka legjislacion për ta luftuar korrupsionin, por ky fenomen negativ nuk po luftohet pasi që nuk po zbatohet në praktikë.

Ai ka thënë se politika është ajo që ndikon në sistemi e drejtësisë dhe se nuk ka vullnet ende që ta pavarësoj sistemin e drejtësisë, i cili më pas do të bënte kontrollin dhe bilancin e pushteteve që do të mundësonte luftën kundër korrupsionit.

“Është fatkeqësi që politika në Kosovë ende nuk e ka kuptuar drejt se si duhet të veproj në mënyrë që të kemi një shtet ligjor në mënyrë që të funksionoj ligji në të gjitha segmentet, politika është ende ajo që ndikon në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe kjo është bërë vazhdimisht me qëllim të caktuar për një sistem të varur të drejtësisë i cili i përgjigjet praktikisht politikës”, ka thënë Musliu.

Madje ai thekson se fatkeqësia më e madhe është se sistemi i drejtësisë i cili do të duhej ta luftonte korrupsionin është i prekur edhe vet nga ky fenomen.

Ai thotë se korrupsioni nuk është perceptim siç theksojnë shpesh prokurorët, por është dukuri e cila po e rrezikon mirëqenien e qytetarëve dhe po e rrezikon procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, prokurorët dhe politikanët kanë ndërtuar një retorikë boshe në luftën kundër korrupsionit “kur i dëgjon duke thënë se lufta e korrupsionit duhet të ketë zero tolerancë”.

Gjatë intervistës Musliu thekson se si rezultat i mungesës së rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit bashkësia ndërkombëtare ka vendosur kriter që të mos ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Por për shkak të një elite të papërgjegjshme dhe në mas të korruptuar sot e kemi këtë fat që jemi ende të izoluar”, thotë Musliu.

Ai ka folur edhe për dekretimin e 48 gjyqtarëve serb që pritet të behet nga ana e presidentit të vendit dhe integrimit të tyre në sistemin e drejtësisë së Kosovë, procesit zgjedhor për kryetar të Komunës së Drenasit e çështje tjera…

INTERVISTA E PLOTË:

betim-musliu1

EO: Gjatë këtyre ditëve kemi përcjell konferenca të ndryshme për “Javën e korrupsionit”, gjatë kësaj kohe edhe kemi kuptuar që korrupsioni nuk është se po ka rezultat në Kosovë. Pse nuk ka rezultate në luftimin e korrupsionit?

Musliu: Në fakt ideja e disa organizatave joqeveritare e që është mbështetur nga Ambasada amerikane, është që brenda kësaj javë të përmbledhin aktivitetin që e kemi pasur përgjatë gjithë vitit e që lidhet me fushën e sundimit të ligjit përkatësisht me luftën kundër korrupsionit. Ka pasur panele të ndryshme dhe përmbajtje të ndryshme të diskutimeve që janë adresuar në këto aktivitete të këtij koalicioni të organizatave joqeveritare e që në fakt kanë nxjerr në shesh shumë gjëra që veç janë ditur, por që janë konstatuar që atyre t’u jepet zgjidhje, e përmes tyre të sensibilizohet publiku për gjithë ato që është duke ndodhur në Kosovë. Mund të them se nëse në Kosovë është zhvilluar diçka siç duhet, po e them me ironi, është zhvilluar korrupsioni dhe kjo është zhvilluar me hapa shumë të shpejtë dhe ka marrë shtrirje shumë të madhe thuajse në të gjitha segmentet e shoqërisë. Është fatkeqësi që politika në Kosovë ende nuk e ka kuptuar drejt se si duhet të veproj në mënyrë që të kemi një shtet ligjor në mënyrë që të funksionoj ligji në të gjitha segmentet, politika është ende ajo që ndikon në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe kjo është bërë vazhdimisht me qëllim të caktuar për një sistem të varur të drejtësisë i cili i përgjigjet praktikisht politikës. Kushtetuta e Republikës së Kosovës e bënë ndarjen e pushteteve dhe nëse e shohim formalisht pushtetet janë të ndara, por praktikisht pushteti gjyqësor vazhdon të jetë i ndikuar si nga pushteti legjislativ ashtu edhe nga pushteti ekzekutiv. Pra politika nuk ka vullnet ende që ta pavarësojë sistemin e drejtësisë, i cili më pas do të bënte kontrollin dhe bilancin e pushteteve që do të mundësonte luftën kundër korrupsionit.  Për fat të keq edhe përbrenda sistemit të drejtësisë, në mesin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka veprime të kundërligjshme të cilat lidhen me vepra penale të korrupsionit e që korrupsioni është i shtrirë edhe në këtë segment. Kjo është fatkeqësia më e madhe sepse ai sistem i cili do të duhet të luftonte korrupsionin është i prekur edhe vet.

EO: Cilat institucione janë të prekura më shumë prej korrupsionit?

Musliu: Po ka sondazhe të shumta të cilat nxjerrin institucionet qeveritare. Nxjerrin sektorin e shëndetësisë, sektorin e drejtësisë, sektorin e gjyqësorit, pra fusha më e ndjeshme e gjitha këtyre institucioneve lidhet me sektorin e prokurimit publik. Pra prokurimi publik është fusha ku buron korrupsioni, por natyrisht në të gjitha institucionet ka prekje nga ky fenomen dhe ka njëfarë lloj imuniteti të zyrtarëve që përkundër asaj që janë të përfshirë në afera korruptive dhe madje ju bëhen publike nga ana e shoqërisë civile apo medieve dhe të njëjtin po thuajse nuk preken.

EO: Në njërën prej konferencave që ju keni organizuar e që i ftuar ishte edhe kryeprokurori Reshat Millaku, ka fajësuar mediet gjoja po nxisin se Kosova është vend i korruptuar. Sipas tij kjo nuk qëndron pasi që të gjitha ankesat dhe raportimet kanë shkuar në prokurori. A është kjo një fshehje e fajit nga Millaku apo si e komentoni ju një gjë të tillë?

Musliu: Është jashtëzakonisht shqetësues mentaliteti i bartësve gjyqësor dhe prokuroria, po ashtu edhe politikanëve. Retorika e tyre e ndërtuar në luftimin e korrupsionit është retorikë boshe, secilin që e dëgjon e sheh duke thënë se lufta e korrupsionit duhet të ketë zero tolerancë. Në fakt nëse organizatat joqeveritare dhe mediet kanë arritur që të krijojnë këtë perceptim atëherë këtë perceptim e kanë arritur përmes raportimeve të drejtpërdrejta që burojnë nga hallet e qytetarëve të prekur nga korrupsionit dhe kjo është dhënë nga ana e medieve dhe shoqërisë civile. Por, nëse konstatimet tona nuk janë të sakta sipas bartësve të funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale, atëherë pse janë të sakta Raportet e Progresit. Atëherë pse është raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan ai që është i saktë e raportet vendore nuk janë të sakta, pra janë të gjithë ato gjetje thuajse të ngjashme që konstatojnë që korrupsioni në Kosovë nuk është perceptim, por është dukuri dhe e cila po e rrezikon mirëqenien e qytetarëve dhe po e rrezikon në fakt procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Si rezultat i mungesës së rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit bashkësia ndërkombëtare siç jeni në dijeni ka vendosur kriter që të mos ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Pra, nëse do të ishte perceptim, unë besoj që edhe evropianët edhe amerikanët do të dinin shumë mirë këtë dhe qytetarëve të Kosovës nuk do t’i ndodhte kjo. Por, për shkak të një elite të papërgjegjshme dhe në masë të korruptuar sot e kemi këtë fat që jemi ende të izoluar.

EO: Po pritet që të bëhet dekretimi i 48 gjyqtarëve serb prej presidentit Hashim Thaçi. Sa janë të besueshëm këta gjyqtarë, kur deri tash kanë punuar në struktura paralele?

Musliu: Në fakt edhe në bazë të marrëveshjes së Brukselit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë ky është tashmë proces i cili është stërzgjatur. Deri më tash ka pasur një proces të verifikimit dhe vlerësimit të këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët kanë punuar në strukturat ilegale të Serbisë dhe të cilët duhet të integrohen në sistemin gjyqësorë të Kosovës. Stërzgjatja e këtyre procedurave ka kushtuar shumë dhe shumë prej marrëveshjeve të cilat janë arritur në Bruksel nuk janë zbatuar dhe një pjesë e tyre janë edhe marrëveshjet për drejtësi. Përkundër përpjekjeve që të integrohet ajo pjesë siç duket ende ka probleme praktike. Edhe ata gjyqtarë e prokurorë të cilët duhet të jenë pjesë e gjyqësorit të Kosovës janë gjyqtarë të cilët kanë kaluar në filtra të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial dhe janë në një fazë ku pritet përgjigje nga ana e presidentit të Kosovës, por e gjitha kjo është bërë në kuadër të Kushtetutës dhe ligjit të Republikës së Kosovës. Pra të gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë të cilët do të jenë pjesë e sistemin gjyqësor dhe prokuroria të Kosovës do të jenë në përputhje me ligjet e Kosovës, sepse nuk do të mund të jenë ndryshe, pra integrimi i tyre do të bëhet në përputhje me ligjin.

EO: Ju së fundi keni bërë edhe monitorimin e zgjedhjeve në Drenas së bashku me disa organizata të tjera. A keni arritur të kuptoni që është ndryshuar mentaliteti i votuesve, sepse sipas deklaratave të juaja që keni dhënë situata nuk është siç ka qenë më herët?

Musliu: Në fakt një praktikë e mirë e mbarëvajtjes së zgjedhjeve është ndërtuar në vitin 2013 kur janë mbajtur zgjedhjet lokale dhe më pas në vitin 2014 kur kanë qenë zgjedhjet nacionale, atëherë Instituti i Kosovës për Drejtësi ka suportuar prokurorin e shtetit për të hartuar procedurat standarde të veprimit në mes Policisë dhe Prokurorisë se si duhet veprojnë në rastet kur ka incidente eventuale në procesin zgjedhor që lidhen me ndonjërën prej të drejtave penale, që lidhen me të drejtën e votimit dhe në këtë rast praktika e ndërtuar në këto zgjedhje ka dëshmuar që institucionet mund të jenë funksionale dhe mund t’i bëjnë ballë kujtdo, i cili tenton që të prishë procesin zgjedhor. Për fat të mirë kjo praktikë e ndërtuar ka vazhduar edhe në zgjedhjet e Drenasit, përkundër faktit që kanë pasur qëllime disa individ që të prishin procesin e zgjedhjeve, por që kanë arritur të izolohen si raste dhe veprimet e Policisë dhe Prokurorisë kanë qenë adekuate dhe të shpejta. Kemi parë që ka pasur edhe arrestime, ka pasur marrje në pyetje të disave prej komisionarëve dhe mbikëqyrësve që kanë tentuar që të cenojnë këtë integritet të këtij procesi të zgjedhjeve në Drenas. Kështu që unë besoj që së pari të rritet vetëdija e qytetarëve dhe se nuk mund të merret më pushteti nga ana e partive politike përmes argatit që iu bëjnë komisionarët apo vëzhguesit e tyre, por thjesht duhet të fitojë demokracia, duhet të fitojë vota e lirë e qytetarit. Jemi munduar që me të gjitha funksionet, si me shoqërinë civile me mediet të kemi një mbarëvajtje të zgjedhjeve shumë të mira në Drenas, pra është kontribut i të gjithëve, por edhe i vetëdijes qytetare, por shoh edhe vetëdijesim edhe të institucioneve që të mos rrinë të pinë çaj në shtëpi, por të dalin dhe të jenë mbrojtës të votës së qytetarëve në secilin hap.

Të ngjashme