Mustafa: Historia e dëshmorëve po përjetësohet

Prishtinë | 22 Pri 2017 | 15:10 | Nga

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Kullës Muze të ndërtuar për nder të dëshmorit Ismet Rrahmani.

Në inaugurimin e Kullës, ishin të pranishëm po ashtu ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, përfaqësues të Komunës së Skenderajt, veteranë të luftës, familjarë dhe bashkëluftëtarë të dëshmorit, Ismet Rrahmani.

Kryeministri Mustafa, vlerësoi lartë figurën dhe kontributin e dëshmorit Ismet Rrahmani dhe dëshmorëve të tjerë të Kosovës, duke theksuar se veprat e tyre do të mbesin përherë pjesë e kujtesës historike dhe burim frymëzimi për të ardhmen tonë.
“Kontributi dhe angazhimi i tij i pandalshëm për Kosovën, janë shtytje për ne, që të punojmë me përkushtim dhe të realizojmë në plotëni veprën e heronjve tanë. Përurimi i Kullës Muze, ku ra dëshmor Ismeti, është dëshmi se historia e këtyre burrave po përjetësohet”, tha kryeministri Mustafa.

Pas fjalimeve nga të pranishmit, kryeministri Mustafa bashkë ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, nënkryetarin e Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, nënën dhe vëllain e dëshmorit, Ismet Rrahmani, bënë prerjen e shiritit të Kullës së dëshmorit Ismet Rrahmani.

Të ngjashme