Mustafa: Skandali me pasaporta shkon në Apel

Prishtinë | 17 Nën 2016 | 16:41 | Nga

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, është zhvilluar debati i iniciuar nga deputetja Margarita Kadriu lidhur me detyrimet e mundshme financiare të Kosovës për pretendimet e kompanive që kanë ushtruar padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka folur në lidhje me tre rastet që kanë shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Sa i përket padisë ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme, në lidhje me pasaportat, tribunali i arbitrazhit ka vendosur që Kosova është e obliguar t’i paguajë kompanisë austriake ose ish-kontraktuesit një shumë prej rreth 5 milionë eurove.

Sipas Mustafës ky vendim është kundërshtuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila ka refuzuar kërkesën në instancën e parë, ndërsa tani kjo çështje është adresuar në Gjykatën e Apelit.

Për rastin e dytë, Datacom-Telekom, ku Telekomi është paditur ndër të tjera për vonesa, refuzim të shërbimeve 3G dhe 4G etj, në qoftë se rasti mbyllet shuma qe duhet paguar është rreth 53 milionë euro ndërsa në qoftë se vazhdon padia rrezikohen rreth 47 milionë euro nga buxheti i Kosovës.

Padia e fundit për të cilën ka folur Isa Mustafa është ndaj Postës dhe Telekomit të Kosovës, e ngritur nga Aksos, për të cilën ka thënë që përgjigjen rreth kësaj padie do të marrin me 23 dhjetor 2016.

Këtu rrezikohen rreth 400 milionë euro nga buxheti i Kosovës.

Për të gjitha rastet Mustafa ka siguruar që janë zgjedhur kompani të njohura dhe kredibile për përfaqësimin e Kosovës në arbitrazh.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme