Ndotja në Prishtinë alarmante sidomos në dimër, lansohet faqja dhe aplikacioni

Prishtinë | 07 Dhj 2017 | 19:14 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ajri në Kosovë është më i ndotur gjatë vjeshtës dhe dimrit. Burimet kryesore të kësaj ndotjeje janë termocentralet, veturat dhe sistemet e ngrohjes.

Kështu u tha gjatë konferencës së organizuar nga Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë (PEN) me temën “Cilësia e Ajrit në Prishtinë”, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast u lansua dhe faqja ajriprishtines.info dhe aplikacioni për telefona të mençur, ku mund të merren informata për nivelin e ndotjes dhe parametra të tjerë të ajrit në Prishtinë.

Trim Ilazi, menaxher i projektit “Making Sense”, i cili iu mundëson qytetarëve të masin vetë cilësinë e ajrit, prezantoi të gjeturat e këtij projekti, që tregojnë gjendje alarmante të ndotjes në kryeqytet

Ilazi tha se kanë vërejtur që ndotja e ajrit në Prishtinë është e madhe në çdo pjesë, madje edhe në Parkun e Gërmisë.

Ai tha se matjet bëhen periodikisht përgjatë stinëve të ndryshme me mjete inovative të matjes.

Sipas tij, projekti ka pasur për synim të rrisë vetëdijesimin shoqëror ndaj ndotjes së ajrit, t’iu mundësoj qytetarëve të masin vetë cilësinë e ajrit, dhe të ndikojë që të merren veprime nga përgjegjësit për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

“Prej matjeve që i kemi bërë, diçka që e kemi vërejtur është se problemi për ndotjen në Prishtinë fillon prej vjeshtës e deri në dimër. Na e kemi bërë një shtrirje në krejt Prishtinës dhe ndotja kur është në nivel të lartë është i njëtrajtshëm”, tha Ilazi.

“Burimet kryesore të ndotjes në gjithë Kosovën janë veturat, termocentralet dhe sistemet e ngrohjes”, shtoi ai.

Sipas drejtuesve të projektit, një nga burimet kryesore të ndotjes në Kosovë janë veturat, duke pasur parasysh qe shumica e tyre janë të vjetra, kanë defekte teknike dhe përdorin derivate jocilësore. “Ndotësit kryesorë të ajrit të liruar përmes emetimeve nga makinat me benzinë, naftë apo derivate-alternative janë monoksidi i karbonit, oksidet e azotit, hidrokarburet e padjegura dhe grimcat e njoma”.

“Kjo ndotje është një rrezik që është duke vazhduar tash e një periudhë të gjatë”, theksoi menaxher i projektit “Making Sense”.

“Më të prekurit janë të fëmijët, të moshuarit që veç vuajnë nga ndonjë sëmundje, gratë shtatzëna”, alarmoi ai.

Bujar Fejzullahu, drejtor ekzekutiv i PEN-it tregoi se Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë është aktiv në 36 komuna në Kosovë dhe ka më shumë se 4000 vullnetarë.

Sipas tij, synimi i PEN-it është të fuqizojë të rinjtë, përmes programeve të lidershipit duke promovuar qytetarinë aktive dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Pjesë e programeve të PEN-it është dhe mbrojtja e mjedisit.

Edhe Fejzullahu alarmoi për gjendjen e ajrit dhe ndikimin që ai ka në shëndetin e njerëzve. “Në Kosovë kemi 835 vdekje të parakohshme nga ndotja e ajrit. Gjithashtu një ndër nga shkaqet e kancerit në Kosovë vjen nga ndotja e ajrit. Ne mbesim të përkushtuar që të mos ndalim angazhimin tonë me shpresën që të na bashkëngjiteni të gjithë në përmirësimin e gjendjes së ajrit në Kosovë”, tha Fejzullahu.

Në vazhdim, Sihana Bejtullahu, prezantoi webfaqen e re ajriprishtines.info, të krijuar nga disa të rinj.

“Ajri i Prishtinës” është emri i platformës në të cilën mund të gjenden të gjitha të dhënat për ajrin në Prishtinë, duke filluar nga këshillat, nga ndotësitë, e deri tek vizualizimi i ndotjes në Prishtinë përmes hartave si dhe i të dhënave për ndotjen e ajrit në periudha të ndryshme kohore, shpjegoi Bejtullahu.

Krahas kësaj, PEN ka krijuar edhe një aplikacion për Android.

Të ngjashme