Në 15-vjetorin e vrasjes kërkohet drejtësi për Smajl Hajdarajn

Prishtinë | 17 Jan 2017 | 13:35 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa është mbajtur akademi përkujtimore, me rastin e 15-vjetorit të vrasjes së deputetit, Smajl Hajdaraj. Në këtë akademi njëzëri u kërkua zbardhja e vrasjes së Hajdarajt.

Ministri i FSK-së Haki Demolli, në fjalën e tij foli për biografinë e Hajdarjt, duke e quajtur patriot dhe njeri që nuk kurseu asgjë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Vrasjen e deputetit të LDK-së, Demolli e quajti dinake dhe mizore, ndërsa kërkoi që ky rast sa më parë të zbardhet.

“Me tërë elanin dhe forcën që kishte, veproi në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa kursyer asgjë, deri në ditën e çlirimit të Kosovës, duke dhënë kontributin vetanak dhe duke marrë pjesë aktivisht në çlirimin përfundimtar të vendit tonë nga okupimi shekullor. Edhe pas çlirimit të vendit, Heroi i Popullit Smajl Hajdaraj, vazhdon me aktivitetin e tij politik, për të dhënë kontributin e tij në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, duke qenë pjesëmarrës aktiv në ringjalljen e jetës partiake dhe politike në vendin tonë”, tha ministri Demolli.

Zbardhjen e vrasjes së ish-aktivistit të LDK-së dhe të e kërkoi edhe Valdet Hyseni, përfaqësues i Brigadës “136 Rugova”.

Ai po ashtu kërkoi që të zbardhen të gjitha vrasjet e veprimtarëve për të cilët ende nuk është dënuar askush.

“Smajl Hajdaraj u vra për të vetmen arsye, se ishte luftëtar i lirisë, gurthemel i shtetit të Kosovës, shtegtar drejt bregut të diellit, drejt bregut të lirisë. Smajli është sot me ne, do të jetë prore për jetë e mot. Edhe sot në sfond kërkon unitet, përbashkësi drejt qëllimeve kombëtare, na këshillon e udhëzon. Më mburrje e krenari, të freskëta i kemi kujtimet e një ushtaraku e strategu të denjë, me afinitet motivues gjithnjë në vijën kombëtare për gjuhë, flamur, kufij, për troje etnike”, tha Hysenaj.

Blerimi, djali i Smajl Hajdarajt, tha se që 15 vjet ka kërkuar drejtësi për të atin, por se askush nuk është marrë me këtë çështje.

“Meqenëse vazhdimisht qe 15 vjet kemi kërkuar drejtësi dhe çdo herë janë thirrje të kota, fjala është sidomos për vrasjet politike, ato të cilat e patën fatin e njëjtë me prindin tonë. Kësaj radhe me zhgënjimin e plotë në drejtësi, nuk do të flas dhe nuk do të komentoj, por do të rri një minutë heshtje pa koment”, tha Hajdaraj.

Smajl Hajdaraj ishte deputet i Kuvendit të Kosovës dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rugovë.
Ai u vra në një atentat më 17 janar 2002.

Hajdaraj është laureuar me Dekoratën “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë dhe Medaljen e Artë të Pavarësisë nga Presidenti i Kosovës.

haki demollismajl hajdaraj

Të ngjashme